Total Pageviews

Monday, January 3, 2011

Adhurim Demiri : “Kënga ime, vetëm për publikun shqiptar!”


Në festivalin e sivjetshëm të Radio Televizionit Shqiptar përpos shumë këngëtarëve të skenës shqiptare do të ketë edhe shumë këngëtarë të rinj  por edhe rikthime si Orges Toçe, Françesk Radi apo Adhurim Demiri. Menduam që intervistën tonë t’a bënim me këngëtarin Adhurim Demiri, ish pjesëtari i grupit X, i cili ka ardhur nga Viena në në Tiranë për të marrë pjesë në këtë festival pas një mungese 10 vjeçare. Atë e gjetëm në lokalin e tij të preferuar “Serendipity”, ku ishte duke pire kafen para se të shkonte në prova te RTSH.

Zoti Demiri,jeni rikthyer në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar pas një mungese 10 vjeçare, si ndjeheni?
-          Ndjehem shumë i emocionuar. Rikthehem në këtë festival pas një mungese prej 10 vjetësh dhe natyrisht që është një emocion i veçantë të rikthehesh aty ku ke nisur karrieren, ku ke marrë dhe dhënë shumë emocione. Për këtë arsye falenderoj shumë z.Petrit Beci dhe Edmond Zhulalin të cilët më dhanë mundësinë të merrja pjesë në këtë festival.
Ju keni marrë pjesë në disa festival gjatë viteve ’90, si e keni gjetur këtë rradhë RTSh ?
-          Këtë rradhë e kam gjetur ndryshe nga herët e tjera. Kanë ndryshuar shumë gjëra në krahasim me disa vite më parë. Shoh që ka njerëz  më produktivë  dhe më të zhveshur nga komplekset apo tabutë akademike. Është një ambient shumë i hapur njerëz që pranojnë dhe japin sugjerime dhe nuk të kondicionojnë në punën që bën. Do të thosha një ambient shumë i hapur, I përshtatshëm për të punuar.
A shihni ndonjë ndryshim midis festivaleve të fillimviteve ’90 dhe festivalit të sotëm, apo asgjë nuk ka ndryshuar?
-          Vend në muzikë ka për të gjithë dhe me këtë dua të them që çdo festival ka bukurinë e vetë. Natyrisht që në atë kohë njerëzit dhe këngët ishin shumë më ndryshe nga sa janë sot. Atëherë prodhoheshin këngë që ishin tipike për festival, ndërsa sot është zgjeruar disi gama e rrymave muzikore dhe nuk është se mund të bësh një krahasim. Mund të them që festivali i vitit 1990 apo edhe ai i 1991 ishin festival shumë të bukura pasi sapo kishim rënë në kontakt më botën pasi për vite me rradhë ishim të detyruar të qëndronim brenda kornizave pa patur mundësi të shprehnim atë që ne dëshironim. Në ato vite kishte shumë grupe të sapo krijuara dhe padyshim shumë këngë cilësore. Festivale që kanë ngelur në memorien time besoj edhe të shumë njerëzve.
Mund të na thoni cili është për ju festivali më i mirë?
-          Siç ju thashë secili festival ka bukurinë e vet. Në atë kohë ka patur të tjera skena, të tjera koreografi dhe nuk mund ti krahasosh. Megjithatë unë them se më i miri ka qënë ai i vitit 1991. Megjithatë fakti që muzika është live do të thotë se ka një lloj site dhe në fund do të ngelet gjithmonë më i miri.
Si titullohet kënga që do të sillni në këtë festival dhe çfarë mesazhi sjell ajo?
-          Kënga që do të sjell në këtë festival titullohet “24 orët” dhe është një këngë që është orkestruar nga miku im Orges Toçe, është një këngë e bukur dhe besoj se do ti pëlqejë publikut. Si çdo këngë edhe kjo ka një mesazh dhe mesazhi i kësaj  kënge  është që kush dashuron di edhe të falë.
Ju thatë që kënga është orkestruar nga miku juaj Orges Toçe, kjo miqësi është vetëm artistike apo jeni miq edhe në jetën private?
-          Unë më Orgesin  njihemi prej vitesh  që në kohën kur unë nuk kasha krijuar ende grupin X dhe që prej asaj kohe vazhdon miqësia jonë. Unë jetoj prej 5 vjetësh në Vienë të Austrisë dhe aty kam ritakuar Orgesin. Mund të them që është një nga njerëzit më të hapur dhe të sinqertë që unë kam njohur ndonjëherë. Orges Toçe ka një grup  të tijin atje dhe performon fundjavave në disa prej klubeve më të njohura të Vienës.
A keni synime ndaj këtij festivali apo e rëndësishme për ju është thjesht pjesëmmarrja?
-          Nuk kam asnjë synim ndaj këtij festivali dhe kjo që them nuk e them për shkak të natyrës sime modeste por e them për arsyen se kjo është më tepër një këngë përshëndetëse për publikun shqiptar, është një falenderim për gjithë ato duartrokitje që më kanë dhënë në vite të tëra. Kjo këngë është thjesht dhe vetëm për publikun shqiptar, unë nuk kam ardhur për të fituar festivalin.
Domethënë ju e përjashtoni edhe mundësinë e pjesëmarrjes në EuroVision?
-          Normalisht që po. Kur jam nisur për të realizuar këtë këngë nuk e kam pasur parasysh fare faktin se fituesi I këtij festivali do të shkojë në Eurovision. Nuk është se unë nuk dua të shkoj atje si përfaqësuesi i vendit tim por në Eurovision ka një tjetër lloj muzike dhe nuk mendoj se muzika ime është e përshtatshme për atë lloj festivali.
Në kohën tuaj  i jepej një rëndësi shumë e madhe tekstit në krahasim me muzikën, sepse siç dihet ato duhet të ecin paralel, kurse në këngët që dalin tani duket se teksti i një këngë nuk ka ndonjë rëndësi aq të madhe mjafton që të ketë rimë dhe një muzikë që të tërheqë vëmendjen. Si mendoni ju a është kjo diçka e mirë apo është një gjë që e dëmton muzikën?
-          Teksti duhet të eci gjithmonë në një linjë me muzikën dhe me pamjet dhe në kohën tonë bëheshin tekste të tilla që të ngeleshin në mendjen e njerëzve. Tani shoh që ka shumë këngë që nuk lidhet kurrsesi teksti me muzikën dhe aq më pak më pamjet. Nëse shikon videoklipet e vendeve si Italia. Franca ShBA etj, çdo klip është një minifilm, ka një histori Brenda, gjë që nuk ndodh në Shqipëri. Këtu nuk janë as kushtet dhe as njerëzit profesionistë që të bëjnë klipe që të shkojnë në të njëjtën rrymë me tekstin apo me muzikën. Janë aq të paktë rregjizorët sa mund ti numërosh me gishtat e një dore. Në këtë aspect mund të them që Kosova është shumë para nesh përsa I përket të bërit muzikë. Aty ka studio shumë më cilësore dhe këtë e tregon më së miri fakti që shumica e këngëtarëve shqiptarë shkojnë atje për të rregjistruar këngëta e tyre. Kosova është një vend që është hapur përpara nesh me kulturën perëndimore dhe kjo i ka ndihmuar në shumë aspekte.
Mendoni se muzika në Shqipëri po bën progres apo ka një rënie cilësore?
-          Hëpërhë nuk shoh ndonjë progress, pasi këtu ka shumë tekste të cilat ose nuk janë cilësore ose janë të vjedhura nga këngëtarë ballkanas. Një prej këngëtarëve më të dëgjuar në Bullgari, është bërë këngëtari I preferuar i shumë këngëtarëve shqiptarë pasi tekstet e tij janë “frymëzim” për shumë këngë të tyre. Normalisht edhe unë kur bëj një këngë kam një frymëzim nga këngëtarë të tjerë por është e tepërt të marrësh gjithë tekstin e një këngëtari tjetër dhe mjafton ti bësh një përshtatje në shqip dhe të bësh një superhit siç ka ndodhur në shumë raste.
Cila ka qënë periudha  më e lumtur e jetës suaj artistike?
-          Periudha më e bukur ngelet padyshim periudha kur isha me grupin X, fundviti 1990 deri në vitin 1994. Ato ishin me të vërtetë çaste të paharrueshmë të cilat kanë lënë mbresa në kujtesën time.
Periudha më e hidhur?
-          Në karrierën time nuk ka patur shumë periudha të hidhura porn ë jetën time ka patur dhe dua të përmend një rast. Kur kam qënë në vit të dytë gjimnaz babain tim e kanë arrestuar më shkakun se ishte “armik I popullit” vetëm për shkak të punës që ai kishte bërë. Kur kam shkuar në shkollë pas arrestimit të tij m’a kanë mbyllur derën në fytyrë dhë më kanë përjashtuar me ceremony, a thua sikur unë të kisha bërë ndonjë krim.
Nëse do të ktheheshit prapa në kohë dhe do të ishit prapë 20 vjeç, çfarë do të kishit bërë ndryshe në jetën tuaj?
-          Nëse do të isha përsëri në atë moshë do të kisha mbledhur përsëri grupin X. Nuk ka asgjë që do ti ndryshoja jetës sime dhe kjo jo për faktin se kam jetuar më mirë se gjithë të tjerët por sepse çdo gjë që kam bërë ka qënë diçka që vinte nga zemra dhe për të cilën nuk jam penduar. S’do ti ndryshoja as edhe një presje jetës sime.
Çfarë note do ti vinit karrierës suaj?
-          Unë nuk mendoj se jam personi I përshtatshëm për të vlerësuar veten time pasi është publiku ai që më vlerëson mua por nëse do të vija një notëpër ato çfarë kam dashur të bëj dhe atyre që kam bërë  do të thosha 8.
Cilat janë planet tuaja post festival?
-          Pasi të përfundojë festivali mendoj të përfundoj realizimin e një albumi që kam nisur ku deri tani kam bërë 7 këngë dhe mendoj të realizoj edhe tre këngë të tjera dhe më pas ta sjell në Shqipëri. Megjithatë kam dyshimet e mia përsa i përket ecurisë së këtij albumi pasi në Shqipëri nuk vlerësohet muzika e vërtetë. Ka një prurje shumë të madhe artistësh të rinj dhe kur ka prurje të tilla normalisht do të ketë edhe këngë jocilësore. Por mendoj se koha do të rregullojë këtë gjë dhe në fund do të ngelet gjithmonë më i miri. Për momentin tregu këtu është kaotik dhe nëse në një dyqan shikon një disk me muzikë dhe tekste të vjedhura dhe në krah të tij një album të një këngëtari I cili ka një muzikë shumë cilësore dhe origjinale të jesh i sigurt se e para do të shitet më shumë. Por besoj se me kalimin e kohës çdo gjë do të rregullohet pasi shoh se publiku shqiptar po ndërgjegjësohet. Siç kërkon veshje apo kushte më të mira jetese ai do të kërkojë edhe muzikën më të mirë dhe do të ndahet shapi nga sheqeri. Por kjo do edhe pak kohë që të ndodhë.
Sa I plotësuar ndjeheni ju nga jeta?
-          Mund ta konsideroj veten me fat deri diku pasi kam një familje që e adhuroj dhe më duan po aq shumë. Në muzikë kam pasur shumë sadisfaksionë dhe kam shuajtur dy nga fiksimet e mia (qesh),të shkoj në varrin e Jim Morrison dhe në Operan e famshme të Vienës. Ishte me të vërtetë një vend i veçantë, kishe një emocion të madh kur hyje Brenda dhe shikoje një ndër sallat më të mëdha dhe më të famshme të operas.
Një këshillë për këngëtarët e rinj?
-          Këshilla që unë do t’u jepja këngëtarëve të rinj është që të punojnë shumë, të djersisin shumë pa anashkaluar look-un dhe të këndojnë sa më shumë live pasi aty dallojnë artistët e vërtetë dhe me vlera nga të tjerët.

No comments:

Post a Comment