Total Pageviews

Tuesday, January 25, 2011

Berisha: Të përgatitet ushtria!

Berisha: Të përgatitet ushtria!  



Kryeministri Sali Berisha është shprehur gjatë një takimi me drejtuesit më të lartë të Ministrisë së Mbrojtjes, si edhe gjeneralëve që drejtojnë forcat ushtarake shqiptare, se ka të dhëna për vazhdimin e një puçi, siç e cilësoi ai. (UPDATE)
Berisha u shpreh se duhet të bëjnë detyrën e tyre të përditshme dhe kërkoi që puçit t’i shtypet koka.

“Kam të dhëna se puçistët kanë vetëm një vullnet të vazhdojnë puçin. Kjo është mbi bazën e të dhënave shumë të qarta. Ju garantoj se duke qenë ju në detyrat që keni, ekzistojnë potenciale të tjera që puçit t’i shtypet koka”, është shprehur Berisha.

Duke falenderuar agjencitë e huaja për informacionet që, sipas tij, kanë ofruar, Berisha u shpreh se ka të zbardhur të gjithë komunikimin e atyre që drejtuan puçin, sipas tij, duke lexuar disa pjesë të informacioneve, por pa bërë të ditur publikisht emrat e tyre.

“Unë do ju lexoj vetëm një segment të urdhërit që jepej nga ndërtesa përballë meje: ‘Sulm, ecni, futuni brenda, mos kini frikë! Mos u trembni nga krismat se janë fishekë manovër, ecni përpara, mos u tërhiqni!’ Ndërsa tjetri pyeste: ‘T’u çojmë kallashët se porta u hap?’ Ky është vetëm një segment i atij organizimi”, tha Berisha.

Në lidhje me arrestimin e krerëve të Gardës, kryeministri u shpreh se do të pranojë hetim në gjendje të lirë, për çdo anëtar të Gardës së Republikës.

“Secili nga komandantët e Gardës do të jetë disponibël 24 orë, por në kushtet e vazhdimit të puçit, nuk mund të pranojmë që kjo të bëhet në shërbim të tij. Ndjekja e tyre e lirë, pa asnjë kufizim. Vendosja e të gjitha masave mbi bazën e një hetimi të ndershëm dhe serioz ndaj tyre, pa asnjë diskutim”, tha Berisha.

Ministri i Mbrojtjes, Imami u shpreh se ka siguruar edhe anëtarët e vendeve anëtare të NATO-s, se ushtria nuk do dalë nga kazerma, por nëse dikush i sulmon, nuk do dalë i gjallë prej andej.

“Kam bërë të qartë edhe kolegëve të vendeve anëtare se ushtria nuk del jashtë kazerme, por do i mbrojë ato. Ushtria nuk del nga Ministria e Mbrojtjes, por asnjë i gjalle nuk hyn atje”, tha Imami.

Kreu i qeverisë saktësoi se, gjatë ditës së protestës kishte sugjerime për të ndërhyrë me forca ushtarake, por u shpreh se e refuzoi këtë sugjerim.

No comments:

Post a Comment