Total Pageviews

Wednesday, January 26, 2011

Besart Kallaku : Shita dhi e i shita të tona...veç me pa qa o tirona.

 


Është i njohur nga mbarë shqiptarët për rolet e “Gjini-t” dhe të “Ferdi-t” të Portollisë. Po ashtu siç i takon një artisti të vërtetë, ai nuk e ka kufizuar talentin e tij vetëm në rolet e programit te famshëm të humorit “Portokalli”. Veprimtaria e tij artistike shtrihet edhe në filma si “Koha e Kometës” me regji të Fatmir Koçit apo tek roli i “Fikes” në filmin “Gjallë” me regji të Artan Minarollit, gjithashtu i shtojmë kësaj veprimtarie edhe projekte te tjera për filma në vazhdim, që ai vetë i ka si plane të ardhshme.
Bëhet fjalëpër aktorin e humorit Besart Kallaku. Aktori i ri 25-vjeçar,i lindur më 20 nëntor të vitit 1985, ka mbaruar shkollën e mesme në gjimnazin “Shote Galica”, Fushë-Krujë dhe vazhdon studimet e larta për “Regjizurë”, në Akademinë e Arteve. Kur Besi ishte maturant, ashtu si dhe çdo i ri në këtë periudhë zgjedh drejtimin e jetës së tij, ai mori pjesë në kompeticionin e përzgjedhjes së talentëve të reja, Pole Position. Kjo pjesëmarrje pati shumë rëndësi në zhvillimet e mëvonshme të karrierës së tij dhe ai tregon, :”Kjo eksperiencë më shërbeu si trampolinë për të fituar audicionin në Portokalli”.
Besi ka passion udhëtimet dhe ka lëvizur shumë brenda një harku kohor të shkurtër. Këto udhëtime nuk janë kryer vetëm në përmbushje të profesionit të tij prej artisti, në turnetë verore si në skena brenda Shqipërisë ashtu edhe rreth e qark Europes e gjithashtu në Amerikë, por edhe duke lëvizur me makinën e tij personale. Ky passion i Besit shërbejnë edhe si plotësuese të egos së tij kureshtare në lidhje me historinë. Atij i pëlqejnë shumë librat historikë dhe aktualisht është në lexim e sipër të veprave të At Zef Pllumit. Ai pohon se :”Lidhja ime me historinë është unike”.Personazhi historik që ai vlerëson më së shumti dhe që e identifikon si “liderin e tij shpirtëror” është heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti Skënderbeu(portretin e të cilit ai e ka si tatuazh në krah). Hobi i Besit ka të bëjë me sportin e vecantë të gjuetisë, i cili është konsideruar si një art më vete, për të. Ai e ushtron këtë sport, kur për një arsye apo një tjetër, gjendet në fshatin e tij të lindjes.Lidhja e ti me zotin është unike dhe në këtë kontekst, mund të gjesh rrënjët e pasionit të tij më të madh, që ka të bëjë pikërisht me koleksionimin e kryqëve të ndryshëm. ”Mendoj se posedoj rreth 200 të tillë, por më i veçanti është një dhuratë e blerë në Lisbonë nga një miku im”. E nis ditën me leximin e shtypit, pasi për të është e rëndësishme që të jetë i informuar me të rejat më të fundit, të cilat thotë, se i mer në mënyrë selektive. Ndërsa në pjesën tjetër të ditës e gjen duke u marrë më provat për spektaklin, “Portokalli”. E ndërkohë preferon që mbrëmjen ta kalojë nëpër lokalet me muzikë live.
Intervista
Sapo keni nxjerrë këngën “ Katunari Gangsta”, si ju lindi ideja për ta bërë këtë dhe cili është qëllimi saj?
Jo se e them unë por është thënë me kohë se idetë e bukura nuk lindin duke pllenuar mendjen si e si të më lindë një ide brilante, por thjesht atëherë kur nuk e pret. Mos harrojmë që  Arkimedi u ngrit lakuriq nga banjo dhe bërtiti EUREKA... dhe mua më ndodhi diçka e tillë por shyqyr që nuk dola nga banjo por nga studio... Kështu që unë isha me rroba veshur,(qesh),bëj shaka, kjo ishte një lloj rastësie gjatë kohës që isha me Stinen në studion e tij, ai futi një muzikë hip hopë dhe unë me shaka fillova ti bija përsipër me vargje humoristike. Nisi me të qeshur nga ana jonë dhe nëse e keni vënë re tashmë po qeshin të gjithë  me këte.

Kush është autori tekstit?
Bashkëpunimi im me Stinen ishte natyrshem brenda studios, pastaj ishte e gjithë dëshira ime për ti dhënë formë të re jashtë studios. Dhe një falenderim kam për vajzat kryesore të klipit : Xhensilën, Anën dhe Drilonën, për Erjon Isain me të cilin kemi bërë regjinë e klipit, Eduart Grishajn, kameramanin e klipit, dhe Erandin që bëri montazhin e klipit, nipin tim frankon që luajti kujtimin me dhinë, (qesh) gjithë pjesëmarrësit, gjithashtu dhe për të gjithë bashkëfshatarët e mi që u bashkuan me mua në xhirimet e fshatit, gjyshin me gjyshen dhe stërgjyshen në fund me përshëndetjen e saj...që në fakt nuk e di akoma se çfarë ka dashur të thoshte me atë që i thamë të bënte(qesh). Dhe një falenderim tjetër kryesor për mbështetjen që më ka dhënë miku im G.B

Që ditën e parë ka patur 80 mijë klikime,sa ju gëzon ky fakt?
E dija që do të klikohej kënga, por kurrsesi nuk e imagjinoja  një sukses të tillë. Për dy ditë kënga ka pasur 138.000 shikues në YouTube dhe është postuar thuajse në të gjitha faqet në Facebook. Në renditjen botërore për videot humoristike më të klikuara  ishte në vëndin e katërt , dhe në vend të 23 në të gjithë botën si video e dites...Sukses i paparë dhe i pabesueshëm ku në faqen kryesore të YouTube ishte e afishuar dhe video ime mbi të gjitha krejt SHQIPTARE...

A  është rinia shqiptare siç paraqitet në klip?
Unë kurrë nuk e kam mohuar dhe as e mohoj origjinën time nga fshati  dhe as nuk e kam me turp që të them që unë aty luaj veten (qesh). Kështu që dhe teksti i këngës është në vetën e parë. Domethënë “ Shita dhi e i shita të tona...veç me pa qa o tirona”. As të mos ofendohet njeri për këtë gjë. Veç shikojeni dhe shijojeni se vërtet kam harxhuar shumë mund dhe e kam realizuar me shum qejf dicka të tillë.
Mua publiku më njeh si figurë që di të dhuroj të qeshura dhe unë i kam qëndruar strikt atij produkti që unë di të prodhoj. Ndryshe është shumë  e vështirë që unë të vija me një tjeter stil, nga e bardhë s’bëhem dot e zezë me një click. Përveç vetes time në atë klip ju jeni mesuar t’i shihni dhe personazhet e mia në “Portokalli”. Unë jam pjesë e realitetit shqiptar dhe humori im si në “Portokalli” dhe në klip është si një shprehje e CHARLIE CHAPLIN : “Të jesh humorist, ironizimin nise nga vetja”. Me këtë këngë dhe klip nuk egziston kurrfarë qëllimi për të denigruar figurën e askujt dhe as nuk ka pse ofendohet askush.

Keni ndërmend ti përkushtoheni muzikës apo do ta lini me kaq?
Për mua është hera e parë që bëj një këngë, përveç periudhës së gjimnazit ku mundoheshim të imitonim grupet e huaja duke krijuar edhe ne grupet tona të hip-hopit. Dhe unë në këtë rast nuk dua të  tregoj se unë di të këndoj, as dua të tregoj se dua të këndoj, por thjesht dua të tregoj se unë di dhe dua të bëj humor,  më tej kismet. Megjithëse jam i frymëzuar momentalisht për të vazhduar më tej...

Çmendim keni për muzikën në Shqipëri, tashmë që u bëtë dhe vetë këngëtar?
(Qesh) Unë nuk jam këngëtar dhe as u bëra i tillë...Jam humorist në çdo formë të humorit...Vetë kënga është një parodi dhe nuk mund të jap një vlerësim për muzikën në Shqipëri, le t’ja lëmë ta bëjnë profesionistët këtë gjë.

Pasi u largua Agron Llakaj edhe Amarda Toska iku nga program “Portokalli”,mos vallë po zbehen vlerat e këtij programi?
Tani po e marr vesh nga ju që do të largohet Ami. Megjithatë nuk besoj se largimi i dy prezantuesve do të bëjë që ky program të mos shikohet më. Aty ka mjaft aktorë të talentuar që dinë të qeshin dhe të bëjnë të qeshin.

Si po shkon jeta juaj sentimentale?
Mund të them që jam shumë i kënaqur…
Pasioni juaj për futbollin ?
Ka vitë që e ndjek kombëtaren kudo që luan dhe jam pjesë e grupit “Tifozat kuq e zinj”. Pasioni im për futbollin është i hershëm dhe kam luajtur për një kohë të gjatë edhe vetë futboll. Me vonë pastaj ju përkushtova aktrimit, megjithatë luaj ndonjëherë me miqtë e mi kalçeto.


No comments:

Post a Comment