Total Pageviews

Wednesday, January 5, 2011

Fatrin Krajka : Kompozimi, një mënyrë për të shprehur veten time. “Ka qënë një emocion i veçantë pjesëmarrja në Festivalin e RTSH”



Përpos shumë rikthimeve në Festivalim e RTSh si Adhurim Demiri, Aurela Gaçe apo Françesk Radi këtë vit pati edhe shumë këngëtarë apo kompozitorë të rinj që morrën pjesë për herë të parë. Një ndër ta ishte  dhe djali i kompozitorit të madh Agim Krajka, Fatrin Krajka. Ai ka studiuar në Konservatorin e Manhatanit dhe dashur pa dashur filloi të ndjekë gjurmët e babait. Performanca e tij e parë në Shqipëri ka qënë para dy vjetësh ku dha një koncert në piano në Akademine e Arteve. Tashmë u rikthye  në Shqipëri për të marrë pjesë në festivalin më të madh në vend me këngën e kënduar nga Goldi Halili.
Fatrin, u rikthyet në Shqipëri për të marrë pjesë në Festivalin e Radio Televizionit Shqiptar, si ju duk Festivali?
Për mua festivali ka qënë gjithmonë i veçantë, sidomos tani që isha edhe pjesëmarrës. Jam rritur duke ndjerë ankthin e babait në këtë eveniment dhe duke qënë se kjo është hera ime e parë në këtë festival kam ndjerë të njëjtin ankth, duke filluar që nga provat, përgatitja e këngëtarit, përgatitja e këgës etj, kështu që për mua është diçka shumë e veçantë.
Ju keni 18 vjet që jetoni në Shtetet e Bashkuara, këtë vit erdhët  për të marrë pjesë, mund të na flisni diçka rreth këngës që do të prezantoni?
Kjo ishte hera ime e parë që merrja pjesë por unë kam vite që jam në këtë festival, unë jam rritur aty pasi kam ndjekur babain tim. Megjithëse kam qënë vazhdimisht këtu kësaj rradhe ishte ndryshe pasi e ndjeva  personalisht ankthin e përgatitjes së një shfaqjeje.
Si ju duk niveli i këngëtarëve, organizimit , provat?
Mund të them që ka patur një nivel mjaft të lartë përsa i përket anës teknike. Kurse përsa i përket këngëve mund të them që përgatitja është individuale dhe secila këngë ka veçantinë dhe bukurinë e saj.  Kënga më e mirë? Besoj ajo që fitoi.
Ju jetoni e punoni në Amerikë, prezantimi në festival është një dëshirë për të bërë karrierë edhe në Shqipëri?
Për mua çdo eveniment muzikor është një oportunitet për të treguar mesazhin që një muzikant do të japë nga vetja e tij. Kur i biem pianos, por edhe kur kompozojmë, ne duam të tregojmë kush jemi. Nuk e bëj as për emër, as për ekspozim, por bëj atë që shkruaj dhe që ndjej. Kështu do të jetë gjatë gjithë karrierës sime.
Babai juaj, kompozitori mirënjohur Agim Krajka, ka qënë pjesëmarrës për vite me rradhe në Festival, a e ndjeni ju presionin e emrit të babait tuaj?
Në të vërtetë unë jam rritur me një lloj përgjegjësie, pasi babai im është munduar gjatë gjithë jetës që të bëjë të vlejë emri i tij në muzikë. Muzika që unë bëj është si të thuash jashtë pikëpamjeve të babait paksa larg klasikes. Unë filloj të kompozoj, mbaroj materialin dhe vetëm në fund ja tregoj babait, sa për të marrë një opinion.
Ka qënë babai juaj ai që ka ndikuar në zgjedhjen e profesionit tuaj apo ka qënë një bashkim i dëshirës suaj dhe profesionit të babait tuaj?
Në të vërtetë kompozicioni është si një lloj surprise pasi unë fillova të shkruaja në kohën kur isha në Konservator në Manhatan dhe pasi kisha kompozuar 5-6 pjesë ja dërgova babait për ti dëgjuar. Nuk ishin si kompozimet që bënte babai im por më tepër i afroheshin jazz-it romantic. Ai pasi i degjoi më tha se kjo ishte rruga që unë duhet të ndiqja. Kështu ka filluar karriera ime dhe nuk është se kam pasur gjithmonë dëshirë që ti vihesha pas karrierës së babait tim. Ka qënë thjesht n jë rastësi e bukur dhe është normale kur jeton më babain kompozitor. Për mua kompozimi është një mënyrë për të shprehur veten time.
Keni plan të nxirrni ndonjë album së afërmi?
Po, kam në plan të nxjerr një album vitin e ardhshë. Disa prej pjesëve i kam bërë dhe kam në plan të realizoj disa të tjera kur të kthehem në Neë York për të plotësuar albumin tim të parë. Në album do të ketë disa pjesë për piano, jazz dhe ndonjë pjes e cila mund të përdoret për muzikë filmi. Janë prodhimë që unë i kam përgatitur gjatë gjithë këtyre viteve. Është një ndërthutje e jazz-it me romanticizmin dhe është për një dëgjim shumë personal. Është diçka që dua ta mbaroj sa më shpejt që të kompletoj një kapitull të jetës dhe karrierës sime.
Ju keni bërë tekstin. Kompozimin dhe orkestrimine këngës, a ka qënë e vështirë realizimi i tyre?
Ndonjëherë është e vështirë ti bësh të gjitha gjërat bashkë por ndonjëherë është dhe diçka që të lehtëson punën pasi në momentin që bën tekstin mendon edhe për një muzikë që do ti përshtatej këtij teksti. Ndonjëherë qëllon që një kompozitor të bëjë punë të mirë dhe ndonjëherë jo, por mendoj se dolëm mirë.
Vitet e fundit jeni më shumë prezent në Shqipëri. Në këtë vajtje- ardhje, çfarë ka ndryshuar në jetën tënde?
Sa herë vij në Shqipëri gjej një pjesë të jetës sime, që ndoshta është në gjumë kur jam në Amerikë. Përballohem me një lloj emocioni, një lloj komunikimi njerëzish që më mungon atje. Kam ikur këtej në një moshë të re, jam ende në zbulim të saj, nuk mund të them se e kam gjetur por them se jam ende në zbulim të vetes sime, sepse brenda vetes sime jam shqiptar.



No comments:

Post a Comment