Total Pageviews

Sunday, January 23, 2011

KSHH: Tejkalimi i dhunës nga shteti, i papranueshëm

KSHH: Tejkalimi i dhunës nga shteti, i papranueshëm  

Komiteti Shqiptar i Helsinkit ka shprehur keqardhjen, dhimbjen dhe shqetësimin e tij që tubimi i djeshëm në Bulevardin Dëshmorët e Kombit përfundoi në një arenë të dhunshme midis forcave të policisë dhe demonstruesve.
Si pasojë u vranë tre persona dhe u plagosën një numër i madh, midis protestuesve dhe forcave të rendit.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit, mbështet të drejtën për tubim dhe proteste paqësore e të paarmatosur, si një e drejtë e rëndësishme e shtetasve në shoqërinë demokratike.

Ne jemi të mendimit se, në pasojat tragjike që rezultuan në ngjarjen e djeshme, ka ndikuar situata e rëndë politike në vend, e krijuar për shkak të mungesës së dialogut midis forcave politike të pozitës dhe opozitës.

Manifestimi i dhunës nga të dyja palët nuk është në përputhje me të drejtën për tubim e manifestim, ndërsa tejkalimi i forcës së ushtruar nga strukturat e shtetit është sjellje e rëndë për situatën konkrete dhe bie ndesh me mënyrën se si duhet të veprojë një shtet demokratik.

Në mënyrë të veçantë përdorimi i forcës dhe dhunës nga policia mbi qytetarët, pas shpërndarjes së manifestimit, është e pajustifikuar dhe e panevojshme.

Komiteti Shqiptar i Helsinkit e çmon me vend t’u tërheqë vëmendjen këtyre organeve që të ruajnë gjakftohtësinë dhe të mos ndikohen nga retorika politike.

Drejtuesit politikë të të dyja krahëve t’i japin fund gjuhës së urrejtjes, të ndërpresin deklaratat nxitëse dhe prononcimet e parakohshme lidhur me çështje të tilla si hetimi dhe deklarimi i fajtorëve, të cilat nuk janë në kompetencë e tyre, por në kompetencë të një pushteti tjetër të pavarur, atij gjyqësor përfundon deklarata e Komitetit Shqiptar të Helsinkit.

No comments:

Post a Comment