Total Pageviews

Wednesday, January 12, 2011

Mos ta lëmë të hyjë në zyrë!

Zëvendëskryeministri i Shqipërisë, Ilir Meta, u shfaq dje para shqiptarëve në një skenë të pështirë. Me një bllok në dorë ku kishte shënuar gjithë axhendën e tij klienteliste, hyri në zyrën e Ministrit të Ekonomisë, Dritan Prifti, dhe zuri të sqarojë me radhë gjithë pazaret e tij. Në listën e pazareve hynte e gjithë piramida e shtetit shqiptar, që nga kryeministri, Gjykata e Lartë, Gjykata e Apelit, njerëz të rëndomtë dhe të pashkollë që duhet të punësoheshin etj. Emisioni Fiks Fare, që guxoi të bëj publikë këtë skandal, na ka vënë të gjithëve para një sfide të vështirë dhe të rrezikshme.
Kolegu ynë Filip Çakuli, ka provokuar rëndë shoqërinë shqiptare, median shqiptare dhe natyrisht opozitën politike në Shqipëri, duke i dëshmuar se çfarë ndodh pas dyerve të mbyllura të qeverisë. Sot në mëngjes është radha jonë. Nëse Ilir Meta hyn sot e tutje në zyrën e shtetit shqiptar, nëse opozita, shoqëria civile, media dhe gjithkush tjetër ja jep këtë luks, atëherë transmetimi i kësaj video do të jetë një e keqe e madhe për shoqërinë tonë, pasi do të noterizojë një standard të ri të plaçkitjes së shtetit.  Sali Berisha pati shkarkuar Ylli Pangon për 4 minuta për një tentim të zbërthimit të kopsës së një femre, ndërsa zëvendëskryeministri i tij kapet me presh në duar, duke zhveshur lakuriq gjithë hajdutërinë e tij dhe është gdhirë sërish sot zëvendëskryeministër.
Faji i Ilir Metës  ka mbaruar dje. Sot nëse ne e lejojmë të hyj në zyrë, është faji jonë. Nuk ka asgjë më kriminale dhe asnjë vepër penale më të madhe se sa të lësh atë të hyjë në zyrat e shtetit për të cilat paguajmë taksa. Edhe sikur t’i zësh derën me trupa të shtrirë në shkallë, edhe sikur ta mbysësh rrugëve me vezë dhe domate, edhe sikur ta mbajmë të rrethuar 100 ditë ndërtesën e asaj ministrie, nuk kemi bërë asgjë më të paligjshme se sa ka bërë ai duke na fyer të gjithëve me sjelljen e tij si plaçkitës i ekonomisë sonë kombëtare. Mos ta lëmë të hyjë në zyrë. Është fundi!

No comments:

Post a Comment