Total Pageviews

Monday, March 21, 2011

Adam Clay : Femrat shqiptare ? Nje thesar!

Adam Clay



Jo shumë persona e njohin emrin e Adam Clay por padyshim që njohin këngët e tij. Adam Clay është një këngëtar me origjinë nga Barbados por i lindur në Bologna, Itali. Një kantautor me një zë mjaft potent dhe të qartë. “Beautiful life”, “Over the rainbow”, “Put your hands up”, “Be together”, “Feel this way” dhe padyshim superhiti “Babylonia” janë disa prej këngëve me të njohura të tij. “Muzika ka lindur së bashku me mua, nuk mbaj mend një moment të jetës sime që të mos kem kënduar” – thotë Adam. Por si profesionist  ai e nisi në moshën 15 vjeçare me një grup të tijin i cili luante muzikë reggae. Karriera e tij filloi ngritjen në vitin 2006 kur publikoi këngën “Born Again”, një bashkëpunim me Ricky L. e cila u kthye në një hit në gjithë botën, një këngë e cila më vonë u bë një remix i quajtur “Born Again – Babylonia” dhe u lançua nga shtëpia e njohur diskografike “Jamie Leëis 'Purple Music”. Që prej asaj kohe Adam Clay ka bashkëpunuar me shumë prej artistëve më të mëdhenj italianë si Karim Razak, Fedo Mora, Raf Marchesini, Simone Farina, Stolfi & Kina, Rod Debyser, Sergio Mauri, Florian Meindl, Mauro del Principe, Enzo Elia, Dj Castello dhe shumë emra të tjerë. Emri i Adam Clay filloi të rritej dhe gjithë turma e mbledhur ulëriste “Babyloniaaaa”. Megjithë problemet qe ka pasur lidhur me këngën “Babylonia”, një çështje që u zgjidh në gjykatë në favor të tij, 2010 ka qenë padyshim viti i artë duke marrë pjesë në disa prej klubeve më të mëdhenj në botë dhe duke bashkëpunuar me këngëtarë si : Bob Sinclar, 50 Cent, Sean Paul, Ferry Corsten, De La Soul, Fat Man Scoop, Mr Hudson, Chris Jones, Amanda Wilson dhe shumë të tjerë.Aktualisht Adam Clay është në një tour në Amerikën Latine dhe gjithashtu po punon për albumin e tij të parë si solist. Ndër vendet që Adam Clay ka vizituar gjatë verës së kaluar ka qenë edhe Shqipëria. Riviera, njerëzit dhe në veçanti femrat i kanë bërë mjaft përshtypje. “Shqipëria ka qenë një dashuri me shikim të parë. Shpresoj dhe besoj se do të rikthehem shumë shpejt”.
Adam, kur nisi karriera juaj muzikore ?
Ka filluar para shumë vitesh, pak a shumë kur kam qenë në moshën 15 vjeçare. Në këtë moshë kam filluar të punoj, kuptohet, pasi nuk mbaj mend një moment në jetën time ku kam rreshtur së kënduari. Hera e parë që kam fituar para ka qenë kur luaja muzikë në Amsterdam me grupin tim të parë. Luanim muzikë reggae dhe kam jetuar katër vite të mrekullueshme të jetës sime në Amsterdam…të paharrueshëm !! Pas asaj periudhe kam patur shumë bashkëpunime me repera amerikanë dhe italianë, me prodhues të muzikës elektronike në përgjithësi deri në vitin 2005 kur Ricky Rinaldi, producenti im i parë nga Bologna, më kontaktoi për të kënduar këngën që më vonë u shndërrua në të famshmen “Babylonia”, e cila fillimisht u titullua “Born Again”. Pas asaj kënge shumë persona nisën të më kontaktonin derisa emri i Adam Clay u bë një emër i rëndësishëm i muzikës dance ndërkombëtare dhe duke lënë modestinë mënjanë, një prej kantautorëve më të kërkuar nga producentët dhe deejay –t italianë.
Cili ka qenë klipi juaj i parë ?
Videoklipi im i parë professional ka qenë ai i këngës “Be together” më Karim Razak dhe Dani B., një single i cili verën e kaluar  ka patur një sukses të jashtëzakonshëm në shumë vende të botës si dhe në vendin tuaj, mbi të gjitha falë ndihmës së Top Albania Radio dhe dj Aldo, i cili është një mik shumë i mire i imi dhe një profesionist i madh.
Keni bashkëpunuar me artistë të mëdhenj me famë botërore si 50 Cent, Bob Sinclair dhe shumë të tjerë, cilin do të konsideronit si bashkëpunimin tuaj më të suksesshëm ?
Bashkëpunim është një fjalë e madhe, le të themi më mirë   jemi njohur dhe kemi punuar në të njëjtat skena së bashku në disa mbrëmje të paharrueshme për mua që nuk do ti harroj kurrë. Megjithatë do të thosha që në koncertin që kam patur në “Corte degli Angeli” me Bob Sinclair jam dëfryer pamasë, me të vërtetë një mbrëmje e bukur !
Vendi më i bukur ku keni performuar ?
“Sky Bar” në Beirut, Liban, ka qenë një prej klubeve më të mrekullueshme ku kam patur fatin të performoj, bile direct pas 50 Cent. Atë mbrëmje e kam mbyllur me dy mijë persona që këndonin bashkë me mua këngët “Babylonia” dhe “Beautiful life”. Dy superhite në atë vend, dhe jo vetëm aty…(qesh)
Çfarë është muzika për ju ?
Është jeta ime…
Do t’a ndërroje për diçka tjetër ?
Për familjen, për shëndetin, dhe për paqen në botë !!! Megjithëse duket si një fjalim për Miss Botën…hahhahah…
Projekti juaj i ardhshëm ?
Oh Zot, janë me të vërtetë aq shumë sa nuk i mbaj mend të gjithë, por projektet më të rëndësishme janë klipi ndjekës i “Beautiful life” me miqtë e mi Karim Razak, Fedo Mora dhe Raf Marchesini si dhe “Babylonia” padyshim. Pastaj do të mendoj për albumin tim si solist, për të cilin kam filluar që tani të punoj.
“Babylonia” ka patur një sukses të jashtëzakonshëm dhe ju ka bërë të njohur në mbarë botën, jeni të kënaqur siç ishte parashikuar apo ka ecur më mirë se sa e prisnit ?
Shuuuumë më tepër nga ajo që kishim parashikuar. Versioni i parë i Ricky L. “Born Again” kishte patur një sukses shumë të madh ndërsa remix-i i Balearic Soul i ardhur nën titullin “Babylonia” është shndërruar në një sukses planetar dhe ju garantoj që nuk ka për të mbaruar me kaq… por për momentin nuk mund t’ju them më shumë, është top secret !!!
Keni ardhur verën e kaluar edhe në vendin tonë, ju ka pëlqyer Shqipëria ?
Adam Clay e adhuron Shqipërinë, ishte thjesht një dashuri me shikim të parë !
Si ju duk Vlora ?
Kam kaluar me të vërtetë shumë mirë, një qytet i bukur, det i bukur, një peshk i shkëlqyer bile po shfrytëzoj rastin për të falenderuar stafin e “Coco Bongo” për mikpritjen e shkëlqyer.
Ju kanë pëlqyer njerëzit ?
Fantastikë ! Të gjithë të sjellshëm dhe mund të them që jam dëfryer shumë.
Po femrat shqiptare ?
Pa koment ! Kjo edhe për faktin që nuk ka nevojë që të bëj ndon jë koment. Të dashur meshkuj shqiptarë shpresoj që t’a vini re se çfarë thesari keni !
Ka diçka tjetër që mund të thoni për lexuesit e gazetës “Freepress” ?
Në fakt dëshiroj të them diçka që pakkush e di. Unë prodhoj muzikë në tre emra të ndryshëm :Adam Clay për muzikën dance, ASK në muzikën reggae/dancehall dhe produksionet electrobeat si dhe Ricardo Phillips për muzikën soul, R’n’B dhe hip-hop kryesisht në gjuhën italiane. Përsa I përket lokaleve ku kam performuar do të doja të përmendja Sky Bar në Beirut dhe People by Cristal në Dubai. Janë vende të mrekullueshme. Por shfaqja “live” që ka lënë shenjë në karrierën time është ajo e 6 nëntorit 2010 në NRJ MUSIC TOUR së bashku me Ricky L në Forum të Beirut-it përpara 10 mijë personave të cilët në delir ulërisnin “Babyloniaaaaaaa…”. Një mbrëmje e mahnitshme, më e bukura e karrierës sime !
Falemnderit për intervistën dhe suksese !
Falemnderit juve dhe mos harroni ! Duart lart (qesh)!

No comments:

Post a Comment