Total Pageviews

Monday, March 21, 2011

Julian Deda : Kurre nuk thuhet kurre!



 Julian Deda
Tashmë janë në sezonin e tyre të tretë dhe duket se kanë arritur kulmin e pjekurisë së tyre artistike. Pas largimit nga “Portokalli” grupi “Shblsh” ka gjetur “strehë” në Vizion plus në spektaklin “Apartamenti 2XL” i cili është shndërruar shumë shpejt në një ndër programet më të ndjekura në Shqipëri. Në intervistën e dhënë për “Freepress” Julian Deda na flet për sezonin e ri të “Apartamenti 2XL”, projektet e tij teatrore, eksperienca në “Dancing with the stars”, oshilacionet në karrierën e tij si dhe marrëdhëniet me kolegët e tij.
Julian përshëndetje ! Si po shkon sezoni i tretë i “Apartamenti 2XL” ?
 Pershendetje dhe falemnderit për ftesën. Sezoni i tretë është pak a shumë si edhe dy sezonet e kaluar, gjithmonë në kërkim të materialeve dhe personazheve për të inskenuar. Mirëpo përveç sezonit të parë gjithë sezonet e tjerë kanë pak më shumë vështirësi pasi sapo ke kaluar një, dy apo tre sezone dhe  je i detyruar minimalisht të ruash të njëjtin standard dhe më pas të përpiqesh që të përmirësohesh. Për të bërë më të mirën dhe të jesh një shkallë më lart se vitin e kaluar duhet që të punosh më shumë . Por puna jonë varet shumë edhe nga realiteti, nga gjërat që ndodhin në jetën e përditshme. Sa më shumë gjëra që ndodhin në jetën e përditshme aq më tepër ngacmime do të kemi edhe ne për të bërë humor. Janë shfaqur dy puntata nga sezoni i tretë dhe më duhet të them që ka patur një impakt mjaft të mirë. “Apartamenti 2XL” është një spektakël që është bërë mjaft familjar dhe ndiqet shumë. Tashëm është një program që ka konsoliduar pozitat e veta dhe nuk është si në fillim kur pas puntatës së parë dhe të dytë prisnim reagimin e publikut pasi nuk dinim se deri ku do të arrinim. Tani ka marrë rrjedhën normale dhe jemi shumë të kënaqur nga shikueshmëria. Ky sezon duket se po ecën si dy sezonet e kaluara dhe besoj se do të pasohet nga një i katërt, i pestë e me rradhë pasi nuk shoh arsye përse duhet të ndaoljmë nëse ecen mirë. Megjithatë kurrë nuk thuhet kurrë.
Është sezoni i tretë me të njëjtët personazhe dhe të njëjtin drejtues, jeni bërë si një familje e vogël , apo jo ?
Po është e vërtetë. Jemi katër aktorë, Turi, producenti ynë dhe Genti Bejko regjizori. Jemi tamam si një familje e vogël. Por kjo është vetëm pjesa që duket në ekran.  Është dhe një staf i tërë që punon nga pas që e kthen këtë familje në një fis të madh, por nga ata fise që kanë edhe nipër e mbesa (qesh). Jo vetëm stafi por është një kompani e tërë që punon për këtë program pasi Tring Digital e ka vënë në plan të parë këtë program dhe për këtë i falenderoj shumë. Jemi një familje e madhe por ne që punojmë përditë jemi një familje e vogël dhe i ndajmë mendimet afër e afër dhe diskutojmë pa u shpërndarë shumë dhe është një gjë mjaft e mirë për punën.  Sa më afër ti diskutosh gjërat aq më mirë është, sidomos kur ke të bësh me shqiptarë.Deri tani nuk kemi hasur shumë vështirësi pasi unë, Ermali dhe Genti njihemi prej kohësh dhe i kemi të ndara instiktivisht rolet . Gjithashtu me Turin merremi vesh shumë mirë pasi është një moshatar i yni dhe një person shumë i komunikueshëm. Gjithashtu edhe me Gentin pasi kemi punuar bashkë te “Portokalli”, kur ka qenë pjesë e “Shblsh” dhe e njeh mjaft mirë punën tonë, karakteret dhe temperamentin tonë.. Njihemi mjaft mirë me njëri-tjetrin  dhe kjo na e bën më të lehtë punën. Megjithatë jo çdo gjë shkon vaj. Kemi edhe ne problemet tona, nervat, ngërçet dhe situata që të vënë në vështirësi.  Por ngaqë jemi siç i thonë edhe gegët “Pak e sak” nr i kalojmë më shpejt dhe pa vështirësi ngërçet që kemi.
Ndjeheni më mirë të “Apartamenti 2XL” apo të “Portokalli” ?
Te “Portokallia” kam kaluar katër vjet të jetës sime artistike dhe jam ndjerë me të vërtetë shumë mirë. Aty kam hedhur hapat e para të karrierës sime dhe të fushës së komedisë e cila është një zhanër shumë i vështirë. Në të dy këto programe jam ndjerë shumë mirë dhe nuk mund ti krahasoj pasi nuk krahasohet molla me dardhën. Megjithatë duke e parë në këto momente mund të them se jam më rehat këtu. Rehat jo në kuptimin se po lodhem më pak ose nuk ka vështirësi por jam më rehat në mënyrën e të punuarit. Por nuk duhet harruar që shumë elementë të cilëti përdor tani për të bërë humor janë elementë të përfituar nga eksperienca që kam patur në “Portokalli”. Kam fituar disa gjëra që janë bërë pjesë e karakterit dhe personalitetit tim dhe i kam marrë me vete. Në aspektin profesional kam qenë shumë mirë atje si edhe në “Apartamentin 2XL” pasi kam punuar ‘pa hile’ dhe sa të kem fuqinë do të punoj po kështu. Puna jonë ka të bëjë edhe me sinqeritetin pasi do t’a marrësh një situatë dhe do ta vësh në skenë ashtu si ti e ndjen dhe jo siç e ndjen dikush tjetër. Gjithashtu ndryshojnë edhe formatet e dy programeve  pasi këtu jemi paksa më të “zbuluar”. Te “Portokalli” bënim një shumëllojshëmri rolesh dhe mund të përdornim paruke apo mustaqe në varësi të rolit, ndërsa këtu jemi ne me emrat tanë por që duhet tu përshtatemi situatave të ndryshme. Nga kjo pikëpamje mund të them që këtu është pak më e vështirë. Gjithsesi këto janë dy programe që kanë specifikat e tyre por mund të them që profesionalisht  këtu ndjehem shumë më mirë.
Keni patur edhe një përvojë relativisht në televizionin Klan, si do t’a konsideronit atë përvojë ?
Ajo ishte një përvojë kalimtare  dhe nga ana profesionale jo shumë e arrirë. Ishte një eksperiencë simpatike dhe kaluam një vit të këndshëm. Gjithsesi në karrierën e një artisti  ka oshilacione dhe periudha të dobëta. Karriera e një aktori është si EKG që i bëhet zemrës, ka uljet edhe ngritjet e saj. Nëse do të kesh gjithmonë ngritje atëherë do të vijë një moment që nuk ke ku shkon më dhe do biesh dhe do të thyesh kokën. Pas ikjes nga “Portokalli” kishim nevojë për një periudhë për të marrë veten  por e kaluam qetë dhe nuk zgjati shumë.
Nëse do t’ju propozonin do të riktheheshit të “Portokalli” ?
Ti po më pyet a do të rikthehesha të jetoja në Shkodër  (qesh) ? Për momentin nuk do të kthehesha por nuk i dihet kurrë. Televizionet në Shqipëri këta janë dhe mund të ndodhë që të rikthehem përsëri aty. Nuk shoh asgjë anormale në një rikthim timin. Ne në “Apartamenti 2XL” nuk kemi hezituar të ftojmë edhe personazhe që punojnë në Top Channel apo Klan, pa bërë asnjë dallim për median ku ata punojnë mjafton që ata të japin diçka nga vetja. Kuse në kampin tjetër nuk ekziston ky mentalitet. Nuk ka ekzistuar ndonjëherë dhe nuk ekziston ende. Në momentin që do të ekzistojë një mentalitet i tillë edhe atje atëherë nuk do të isha kundra një rikthimi. Bashkëpunimet janë gjithmonë të mira.
Jeni duke punuar me ndonjë projekt jashtë “Apartamenti 2XL” ?
Sapo kam mbaruar një komedi të Alma Hotit, një shfaqje e cila u dha edhe në Shkodër. Për momentin jam duke punuar mbi një pjesë të Woody Allen “Play it again, Sam”,. Një pjesë ku mbizotëron dialogu. Amerikanët flasin shumë, dialogojnë me njëri-tjetrin, jo si europianët të cilët mendojnë shumë dhe flasin pak. Është një pjesë që më përshtatet dhe në të cilën e ndjej veten jaft mirë.
Në cilin teatër do të shfaqet kjo pjesë ?
Nuk e kemi menduar akoma. Sapo të përfundojmë do t’a vëmë në skenë në njërën nga sallat që do të jenë të lira.
Mes gjithë këtyre angazhimeve a e gjeni kohën e nevojshme për të kaluar me familjen ?
Në të vërtetë kam shumë pak kohë për të kaluar me ta megjithëse do të dëshiroja që të kaloja gjithë ditën me bashkëshorten dhe fëmijët e mi. Gjatë kohës që është “Apartamenti 2XL” jemi tërë kohën duke punuar për të . Thuajse gjithë dita shkon nëpër prova  por sapo gjej pak kohë të lirë vrapoj te familja ime. Aty gjej shlodhje dhe megjithëse lodhem shumë me lojërat e tyre gjëj një shlodhje mendore dhe shpirtërore pas gjithë asaj ditë me stres. Mundohem që të dielën që kam pushim ta kaloj me familjen time dhe gjatë kohës që spektakli është pushim përpiqem që të rikuperoj kohën e humbur me familjen time. Përpiqem të argëtohem me aq sa kemi dhe nuk bëj një jetë luksi me avionë personal apo limuzinë (qesh), si të thuash as nuk kemi dhe as na mbarohen.
Vitin e kaluar ishit pjesëmarrës në “Dancing with the stars”, gota ishte gjysëm plot apo gjysëm bosh ?
Gota ishte plot fare, bile gati për tu derdhur (qesh). Me hamendjen time unë besoja se do të eleminohesha që në mbrëmjen e tretë por arrita ama të rezistoj deri në mbrëmjen e njëmbëdhjetë. Ishte një eksperinecë shumë e veçantë që të ndodh njëherë në jetë. Mësova disa gjëra mjaft të lezetshme rreth kërcimit dhe shumë prej nesh mësuan gjëra të reja. Para saj nuk dija të hidhja dy hapa dhe jo më të kërceja. Aty nuk ishte Julian Deda aktor apo Soni Malaj këngëtare, ne u përpoqëm të nxjerrim në pah disa vlera të tjera. Ishim duke komunikuar me publikun, duke kërkuar vota, duke kërcyer dhe kemi marrë mjaft emocione pozitive. Gjëja më e vështirë ishte momenti kur kërkoje vota. Tani e kuptoj se sa e vështirë e kanë politikanët tanë që kërkojnë vota megjithëse besoj politikanët tanë janë mësuar dhe nuk u bëhet më fytyra më rrudha kur dalin dhe kërkojnë vota sa herë që ka zgjedhje. Mu duk një gjë tmerrësisht e vështirë ti kërkoje vota publikut pasi nëse kërkon një gjë natysisht që duhet të japësh diçka në këmbim. Megjithatë ja kam kaluar shumë mirë dhe do t’a konsideroja një eksperiencë mjaft pozitive.
 Ju pëlqen jeta e natës ?
Nuk më pëlqen dhe as që më ka pëlqyer kurrë.  E frekuentoj shumë rrallë, jo vetëm tani që jam familjar  por edhe në kohën kur kam qenë student. Për mendimin tim shtë diçka e zhurmshme që edhe mund të të shqetësojë por kjo nuk do të thotë që jam kundër jetës së natës. Thjesht unë vetë nuk e përballoj dot. Më pëlqen që në Tiranë ka jetë natedhe të rinjtë festojnë dhe ka një larmishmëri jeta e natës megjithëse është pak kaotike në krahasim me qytetet  e tjera europiane. Në përgjithësi ne mesdhetarët pëlqejmë që të jetojmë më shumë natën pasi dita është pksa e nxehtë dhe nuk e përballojmë dot (qesh).
Pini duhan ?
Kam pirë që në moshën 16 vjeçare dhe nuk kam mundur që ta lë.
Marrëdhëniet me alkoolin ?
Shumë rrallë ndodh që të pi ndonjë gotë me miqtë e mi por në përgjithësi nuk jam pijedashës. E konsumoj shumë rrallë alkoolin.
 Falemnderit dhe suksese në sezonin e tretë të “Apartamenti 2XL” !
Falemnderit edhe juvedhe suksese gazetës “Freepress”.

No comments:

Post a Comment