Total Pageviews

Saturday, May 7, 2011

Kryeqytetarja!


Nga Mero Baze




Flora Hanelli është një pedagoge e sertë matematike, që bashkë me burrin e saj mbahen mend gjatë nga studentët që mbarojnë inxhinierinë në Tiranë. Unë vetë jam një student i tyre dhe ende më del në gjumë provimi me Hanellin. Memoria e fortë për ta, ka të bëjë me faktin se ishin të rreptë, të drejtë dhe të pakompromis. Dje Flora Hanelli u bë personazh i medies shqiptare, pasi fare spontanisht, e zemëruar si qytetare dhe e fyer në inteligjencën e saj, ishte futur me dhunë në një klasë ku duhet të dëgjonte gënjeshtra, rrethuar nga badigardë dhe një trupë shëtitëse që shoqëron kandidatin Lulëzim Basha. Shpërtheu dhe zhbëri për 5 sekonda atë që Lulëzim Basha kishte tentuar ta bënte për 5 javë, fushatën e montuar elektorale dhe profilin e tij paqësor. Disa badigardë me fytyrë banditi iu afruan pedagoges së nderuar dhe e hoqën zvarrë jashtë, ndërsa studentët duartrokisnin pedagogen e tyre dhe të revoltuar zbrazën sallën. Zyra e shtypit e Lulëzim Bashës, që nuk lë kasetë dhe e-mail pa dërguar, heshti. Njeriu që i premton Tiranës transparencë, fshehu përballjen e tij të parë me një qytetare kurajoze. Menaxherët e fushatës së tij heshtën. Vrapuan pas kësaj në një sallë të Tiranës për të bërë një aktivitet tjetër që të mbulohej skandali. Mediat televizive kombëtare heshtën, duke e bërë dhe më të fortë dhimbjen për mungesën e moralit të tyre në këtë fushatë.
Flora Hanelli u kthye e tronditur në zyrën e saj, shoqëruar nga e bija dhe disa studentë që ja hoqën nga duart badigardëve të dhunshëm të Lulëzim Bashës. Njeriu prej plasteline u deformua për 5 sekonda përballë një njeriu të vërtetë. Maska e dyllit ra nga fytyra e tij sapo një zonjë i kujtoi se ka lënë katër palë fëmijë jetimë. Tirana humbi dje një takim të qetë elektoral, por fitoi një qytetare të rëndësishme të saj, ndoshta qytetaren më të rëndësishme të kësaj fushate, Flora Hanellin.
Ky gjest na bëri të reflektojmë gjatë mbi gjestin e gazetës Tema ditën e diel, që botoi në faqe të parë një kopertinë denoncuese mbi përgjegjësinë e Lulëzim Bashës për vrasjet e 21 Janarit. Kemi pasur reagime të përziera rreth saj, reagime të cilat ishin në shumicë absolute mbështetëse, por me debate rreth thellësisë ku duhet të shkohet me këtë akuzë.
Dje Flora Hanelli na bëri të skuqemi të gjithë, duke na treguar se sa të padrejtë jemi me dy vajzat e mitura të Aleks Nikajt, sa të padrejtë jemi me lotët e Anës dhe vëllezërve të saj që u mungon babi i vrarë para derës së qeverisë me duar në xhepa, sa të padrejtë jemi treguar në këtë fushatë me fëmijët e Hekuran Dedes që po qajnë në vetmi dhe harrim babain e tyre, dhe djalin e mbetur të Faik Myrtaj, i cili duhet të përballojë jo vetëm ikjen e babait, por dhe dëshpërimin vrastar të vëllait që nuk e duroi dot atë dhembje. Flora Hanelli ndryshe nga persiatja jonë meskine mbi qejfmbetjen e Lulëzim Bashës, e tha qartë dhe shkurt duke treguar me gisht vrasësin që la “katër palë jetimë rrugëve”.
Flora Hanelli foli për të gjithë ne që heshtëm në meskinitetin tonë, për kolegët e  mi që në këtë fushatë numërojnë lekët në vend të raporteve, për pronarët e medieve që numërojnë spotet e reklamave në vend të viktimave, për njerëzit e trembur të administratës që numërojnë lekët e rrogës, para se të numërojnë rreshtat që formojnë në salla mbledhjesh e sheshe mitingjesh të detyruar. Flora Hanelli mbrojti mbi të gjithë Universitetin e saj, atë institucion që ka ngritur me duart e saj dhe burrit të saj për 25 vite dhe që i ka dhënë dinjitet  së bashku me kolegët e saj. Ajo foli për të gjithë shoqërinë e trembur shqiptare, për të gjithë median e shitur, për të gjithë ata që duan të na detyrojnë të harrojmë se Lulëzim Basha po përdor këtë dekor fushate për të mbuluar gjakun e patharë, derdhur prej tij në bulevard.
Dje Flora provoi përse Lulëzim Basha donte një fushatë të montuar elektorale në ekrane. Përfytyroni sikur Basha të kishte bërë një fushatë të lirë elektorale, të mos dilte nëpër rrugët e Tiranës me trupën e tij shëtitëse teatrale që zëvendëson popullin e vërtetë, se sa qytetarë të lirë  do të njihnim në këtë qytet. Flora provoi se Lulëzim Basha dhe Sali Berisha kanë qenë të qartë për krimin e tyre. I pari Sali Berisha u largua nga Tirana dhe po endet rrugëve të Shqipërisë pa shkelur në këtë qytet, ndërsa i dyti po sillet nëpër rrugët e këtij qyteti si fantazëm, brenda akuariumit që i ka prodhuar stafi elektoral. Një ditë kontaktoi pa dashje me një qytetare të futur pa leje të tij në sallë nën bindje të thellë se brenda atyre mureve gjithçka është me pushtetin dhe u diskretitua. Kjo tregon sa regresive dhe turpëruese është për ato media transmetimi i kasetave dhe mungesa e gazetarëve pas një aktori të rëndësishëm elektoral. Dhe mbi të gjitha tregon degradimin e shtetit ligjor prej këtij kandidati që shkel ligjin për arsimin duke dhunuar universitetet private dhe ato publike, të privatizuara nga partia e tij për të mashtruar qytetarët.
Dje Flora provoi mbi të gjitha se kurajoja nuk ka vdekur dhe se e keqja zhbëhet vetëm duke i dalë përballë. Fjalori i ashpër i saj kundër vrasjeve i krahasuar me fjalorin e Henri Çilit kundër transparencës, në të vërtetë ballafaqojnë dy botët akademike, atë reale dhe atë të rremë në Shqipëri.  Sapo videoja e saj filloi të shfaqej në faqet e internetit dhe ekrane në Tiranë, një bombë artizanale shpërtheu pranë çadrës rinore të opozitës në Bulevard duke plagosur një të ri, ndërsa në Laç u vra vëllai i një deputeti socialist. Qetësia humbi menjëherë dhe maskat e dyllit, që fshihnin skërmitjen e dhëmbëve duke e transformuar në buzëqeshje, ranë. Në këtë qytet, njeriu që do të bëhet qytetar i parë i tij, është në akuzë për vrasje politike. Milionat e pushtetit janë angazhuar ta pastrojnë gjakun nga duart e tij, por mjafton një njeri i lirë për ta bërë të duket e rreme liria e ofruar nga një pushtet i dhunshëm. Faleminderit Flora Hanelli. Me gjestin tuaj, ju i keni vënë notë kaluese një shoqërie, e cila po mbeste në klasë në provimin e demokracisë.

Mos hidhni në votë detyrimin për drejtësi ndaj Aleks Nikaj!



Dy vajzat e Aleks Nikës, Amelia 2 vjeç dhe Mentila 5 muajshe, të mbetura jetime pas 21 janarit 2011







Apel për Sali Berishën dhe Edi Ramën
Nga Avokat Mark Nikaj*
Amelia është 2 vjeç, ndërsa Mentila 5 muajsh. E madhja flet dhe ka nisur të kuptoj se babai po vonon të kthehet në shtëpi. E dyta ende. Një të diel më parë televizionet transmetuan 25 herë një kronikë se si një baba i ri i sjellshëm, mori vajzën e tij për dore bashkë me gruan e veshur me 20 mijë euro rroba dhe aksesorë, dhe shkuan të shikojnë në Teatrin e Kukullave përrallën e “Mamadhisë dhe 7 kecave”. E bombarduar me pamje të moshatarëve të saj, që shkojnë ne teatër (ani pse në mënyrë teatrale) me prindërit e tyre të qeshur që bëjnë sikur i duan gjithë fëmijët në atë sallë, Amelia u ngrit befas e mërzitur nga kolltuku dhe thirri “Dua edhe unë babin!”
Të gjithë ne të tjerët që tani jemi dërrmuar nga vrasja e djalit tonë më 21 Janar, kemi mbi tre muaj që përpiqemi të kemi një përgjigje për këto dy vajza jetime. Babai i tyre u vra më 21 Janar në Bulevard. Por ky shpjegim i thatë nuk mjafton për dy vajzat jetime. Ato natyrisht duan të dinë gjithçka. Duan të dinë pse ajo vajza bionde që ka lindur në Holandë është e qeshur dhe e lumtur duke shkuar me babin dhe nënën e saj të pasur duke parë kukulla dhe pse ajo s’mund ta bëjë atë. Ato ende nuk e kuptojnë se ai djalë i qeshur buzagaz, i dashur me fëmijët e tjerë në sallë, i ka lënë jetime. Ne ende nuk kemi si t’ia shpjegojmë këtë gjë se janë të vogla.
Unë që kam këtë dramë, jam xhaxhai i Aleks Nikaj, dhe jam pjesë e kësaj drame të përditshme në familjen tonë. Familja dhe të afërmit po përpiqen përditë të gjejnë forcë për të mbijetuar, por e vetmja shpresë që gjithçka të mund të degradoj është drejtësia.
Unë jam i thyer në moshë dhe e di mirë pse është vrarë Aleksi. E njoh mirë njeriun që u krenua me vrasjen e tij, Sali Berishën, dhe duke njohur atë njoh mirë dhe njeriun që përdori për këto vrasje Lulëzim Bashën. Mes makthit të vdekjes së Aleksit në javën e parë kur ai mbijetoi deri sa vdiq në Turqi, mua dhe familjes së Aleksi do të na duhej të duronim dhe fyerjet për të, do të na duhej të duronim mburrjet makabre të Sali Berishës që ishte gati të vriste “jo 3, jo 30, por 300” nëse shkeleshin institucionet. Ato ditë nuk do t’i harrojmë kurrë. Nëna e Aleksit errej dhe gdhihej në shkallë me sy nga rruga duke pritur mandatën, ndërsa ne me sy nga ekranet se mos Sali Berisha dhe Lulëzim Basha vazhdonte të fyente gjakun e pafajshëm të djalit tonë.
Po të drejtohem në emër Sali Berisha, dhe ty Lulëzim Basha. Kështu do tu drejtohem derisa drejtësia të vihet në vend, pasi nuk kam ndërmend t’u njoh për kryeministra apo ministra, por thjesht si njerëz që më keni borxh gjakun e Aleksit. Ne jemi duke pritur që drejtësia të veprojë dhe ju të merrni përgjegjësi për atë që keni bërë. Në ethet e kësaj fushate elektorale, ju po përpiqeni të votëbesoni shoqërinë shqiptare pro apo kundër gjakut të djalit tonë, po përpiqeni të përdorni emocionet politike për të marrë pafajësinë politike për atë që keni bërë. Gaboheni rëndë. Drejtësia për gjakun e djalit tonë, nuk vihet nga fushata elektorale dhe as nga përpjekjet tuaja për blerë votën popullore që të harrohen krimet. Drejtësinë për gjakun  pafajshëm të Aleksit e vendos vetëm drejtësia dhe ju na kini fyer rëndë duke na ofruar si alternativë të së ardhmes përgjegjësit e kësaj tragjedie. Dy mbesat e mia të mbetura pa baba, as qetësohen dhe as mërziten nga fitorja apo humbja e Lulëzim Bashës në Tiranë, por trishtohen nga mungesa e përjetshme e babait në shtëpinë e tyre dhe duan drejtësi. Ndryshe nga dy mbesat e mia, mbesat dhe nipat e tu Sali Berisha kanë plot pare, kanë vila dhe pasuri, kanë mundësi të udhëtojnë gjithë botën dhe jetojnë të lumtur. Mbesat e mia nuk ia kanë lakminë fatin e nipave dhe mbesave të tua, por nuk kanë për të ta falur kurrë fatin që ti u imponove duke i lënë pa baba, nëse pengon drejtësinë të shkojë në vend. Është mire t’i japësh shans të vërtetës dhe të mos manipulosh ende me vdekjen e babait të tyre. Është mirë t’i dorëzosh drejtësinë, armën që vrau, njeriun që qëlloi, njeriun që urdhëroi dhe njeriun që komandoi gjithçka. Kjo do ta bëjë më të vërtetë lumturinë fallso të nipave dh mbesave të tua.
Ne nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për Aleksin, me të gjitha rrugët, në të gjitha gjykatat, me gjithë miqtë dhe aleatët tanë, deri dhe me gjykatat perëndimore.
Ti Sali Berisha dhe Lulëzim Basha duhet ta dini mire se Aleks Nika ishte djali i shtëpisë sonë, babai i dy vajzave të mitura, djalë i një nëne që po plas nga dëshpërimi. Ai nuk ishte as i Bamir Topit, as i Ina Ramës, as i Edi Ramës dhe as i puçistëve të tjerë që ju shpikët për të mbuluar të vërtetën e vrasjes. Ti Sali Berisha nuk mund të na bësh dot karshillëk as me ligje, as me politikë dhe as me pseudointelektualë e pseudomirditorë si Frrok Cupi, Mark Marku dhe të tjerë që kanë shitur shpirtin e tyre për tu bërë avokatë të atyre që derdhën gjak të pafajshëm në një vend që synon të hyjë në Evropë.
Ti Sali Berisha bërë çfarë munde ta poshtërosh vdekjen e tij, duke u sjellë si armik i tij dhe kur ai ishte duke vdekur. Shkuat në Spital dhe nuk i hodhët as sytë, shpërbleve gardistët që e vranë dhe turpërove një komandant garde që nuk la as gruan e vet të vinte të ndahej me Aleksin që e kishte djalë dajoje. Ti u tregove shpirtzi dhe cinik duke ftuar në mbledhje të qeverisë publikisht Shakirën të vinte të këndonte për mortin e djalit tonë. Këto nuk t’i kemi harruar, por dije se nëse vazhdon të pengosh gjykimin dhe hetimin tënd dhe bashkëpunëtorëve të tu në këtë krim, ne nuk do ta falim kurrë.
Ti Sali Berisha dhe vartësi yt Lulëzim Basha keni seleksionuar në këtë vrasje Aleks Nikaj, si djalë të vetëm që nuk ka kush t’i marrë hakun.  Ne po kërkojmë që drejtësia të veprojë, dhe nuk deinkurajohemi as nga trembja që ti i ke bërë Presidentit të Republikës apo kryeprokurores. Unë jam ende i tronditur nga deklarata e Presidentit që tha se ky krim nuk duhet të kishte ndodhur, a thua se kjo është çështje morale dhe jo ligjore. Në të vërtetë detyra e tij është të reagojë duke mbrojtur Kushtetutën dhe lirinë e qytetareve për të demonstruar, duke çuar para drejtësisë fajtorët, dhe zbardhjen e krimit.
Ti Sali Berisha dhe vartësi yt Lulzim Basha po shpikni lloj konfliktesh me Presidentin, kryeprokuroren dhe institucione të tjera me qëllim që të keni një alibi për vonesën e së vërtetës. Lulëzim Basha ka shpëtuar një herë nga drejtësia duke sajuar sherre të tilla dhe duke shtyrë afatet e hetimit. Por gabon se mund të shpëtoj gjithmonë me të njëjtën mënyrë. Masakra e 21 Janarit është vepër kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe është paksa dyshues fakti që ai nuk ju besua Prokurorisë së Krimeve të Rënda, me gjithë respektin që kam për grupin e prokurorëve që po heton. Ju nuk mund ta mbyllni këtë histori pa na treguar vrasësin dhe shkakun e vrasjes.
Ti Sali Berisha dekonspirove veten që je i përfshirë i gjithë në këtë krim, pasi fillimisht hodhe versionin që kishe përgatitur paraprakisht që viktimat i vrau opozita. Pastaj tentove të mashtroje me mjekët e Spitalit Ushtarak. Kur të gjitha alibitë të ranë, thirre në ndihmë miqtë e tu politikë në Perëndim dhe u shpjegoje se kishe qëndruar 5 orë i rrethuar dhe se vrasjet ishin legjitime. Fal zotit miqtë e tu në Perëndim që ti përdor në ekrane te blera në Tiranë i sfumoi deklarata e përgjegjshme e presidentit francez Sarkozi, i cili e bëri të qartë se Perëndimi nuk toleron asnjë vrasje qytetari që proteston në Evropë. Ty Sali Berisha të mbeti turpi i përpjekjeve të dështuara për të prodhuar një legjitimitet ndërkombëtar për vrasjen e Aleksit dhe tre qytetarëve të tjerë shqiptarë.
Ti Sali Berisha ke boll miq në Turqi dhe sidomos në politikën turke. U ke dhënë gjysmat e pasurisë së shqiptarëve, përfshi Telekomin dhe bankat. Shpresoj mos të jesh duke e përdorur këtë miqësi për të penguar ardhjen e provës për djalin tonë nga Turqia. Është mirë ta ulësh drejtësinë të bëj punën e saj edhe  pse boll e ke penguar dhe me kaq sa ke bërë.
Në konceptin tënd, duket sikur ne jemi duke kërkuar një deklaratë noteriale për të pranuar krimin, si ato që ti sajoje muaj më parë nga shokët e djalit tënd, kundër opozitës. Jo. Ne po kërkojmë të hetohet,  direkt apo indirekt, me prova dhe dëshmitarë, që të shkohet tek e vërteta, pa pasur nevoja për deklarata noteriale të vrasësit. Tri muaj më pas ne dimë thuajse gjithçka ka ndodhur aty brenda. Kemi mësuar  kush ja ka nxirë syrin Andrea Prendit nën presionin e hapjes zjarr mbi turmat dhe po ashtu kemi mësuar për prezencë civilësh të armatosur ne korridoret e tua. Prokuroria besoj e ka më të lehtë se ne të provojë se dy njerëzit që qëndronin në katin e dytë pas xhamave të blinduar Sali Berisha dhe Lulëzim Basha, komanduan Andrea Prendin dhe nën presionin e paramilitarëve që ishin brenda në godinë, të merrte përsipër hapjen e zjarrit, i cili ka shkaktuar vdekjen e 4 qytetarëve. Tani përveç anës tragjike që ka vrasja e katër qytetareve, ana barbare e kësaj historie, është se ata që urdhëruan vrasjet kanë urdhëruar dhe fshehjen e armëve, fshehjen e filmimeve dhe fshehjen e autorëve që hapën zjarr mbi qytetarët. Dhe këtu rrethi ngushtohet tek dy njerëz, Sali Berisha dhe Lulëzim Basha.
Në fund kisha disa fjalë dhe për opozitën dhe liderin e saj Edi Rama. Të gjithë e dimë se kur një qeveri vret popullin e vet, asaj i mbaron kontrata me qytetarët dhe i dorëzohet drejtësisë. Në rastin konkret qeveria refuzoi ta bëjë këtë dhe opozita nuk arriti t’i imponojë qoftë dhe me forcë.
Unë e kuptoj se shumë faktorë ndërkombëtarë u manipuluan për të ruajtur atë që quhet stabilitet, por të gjithë e kuptojmë se kjo është sikur të mbulosh zjarrin me hi. Asgjë më të pasigurt nuk ka në këtë vend, se të përpiqesh të ndërtosh stabilitet mbi trupat pa jetë të viktimave që kërkuan drejtësi.
Demonstrata e 21 Janarit u thirr nga opozita dhe ata qytetarë që dolën në rrugë ishin të ndërgjegjshëm për atë që bënin. Por ata u vranë. Opozita është vrarë dhe ajo duhet të gjejë rruat e saj për të rikthyer dinjitetin dhe drejtësinë në vend. Për ne që jemi vrarë dhe na mungojnë njerëzit tanë në shtëpi, nuk kanë më kuptim as zgjedhjet, dhe as përbetimet për drejtësi, derisa drejtësia të mos fillojë të funksionoj për të na dhënë shpresë. Asgjë nuk është më e rëndësishme se jeta e atyre që ikën dhe opozita shqiptare duhet ta bllokojë këtë teatër që luhet në emër të demokracisë, përmes Ujkut dhe kecave të trembur brenda shtëpisë.
Gjithë veprimet e qeverisë pas 21 janarit, gjithë paniku i tyre për të fshehur provat, gjithë mobilizimi i milionave për të blerë zëra ën Perëndim pro vrasjeve, gjithë përpjekjet për të përdorur këto zgjedhje për të pastruar historinë e vrasjeve politike, dhe gjithë paraliza e drejtësisë në këtë drejtim, provojnë fajëson e Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës, ndaj opozita nuk duhet të dorëzohet para këtij fakti, ndryshe do të duket sikur Berisha dhe Rama po e hedhin në votë pafajësinë dhe drejtësinë për Aleksin dhe tre të varët e tjerë.



Më 21 Prill vdiq dhe nëna ime, gjyshja e Aleksit. Nuk ishte e sëmurë por dhimbja për Aleksin i plasi zemrën. Ky ishte një tjetër lajm i keq për familjen tonë. Por mos mendo se do të vdesim të gjithë në shtrat duke pritur pa fund drejtësinë. Do të dimë jo vetëm ta presim me dinjitet, por dhe ta shtyjnë përpara me dinjitet kohën kur të ndjehemi të lirë për shpirtin e Aleksit ngjitur në qiell. Dhe i lirë njeriu ndjehet kur drejtësia vihet në vend.

SKANDALI/ Një tjetër provë e trukimit të kampionatit shqiptar





Që ky kampionat është trukuar dhe i është dhënë Skënderbeut nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, tashmë nuk ka asnjë dilemë dhe të gjithë e dinë. Është e tmerrshme në fakt, që edhe pse dihet kjo gjë, nuk merret asnjë masë dhe reagimi është kaq i vakët.
Por, e përditshmja sportive “Panorama Sport” ka zbuluar një tjetër provë të trukimit të këtij kampionati. Në ndeshjen e fundit, të cilën Skënderbeu e fitoi 1-0, gjyqtari i takimit, Artan Taullaraj, u ka thënë lojtarëve të Elbasanit që mos të mundohen kot, pasi edhe nëse shënojnë dy gola, do të pësojnë tre të tjerë, pasi ai e kishte vendosur që Skënderbeu do të fitonte me çdo kusht.
“Në momentin që Skënderbeu shënoi, shkuam me vrap tek Taullaraj dhe i kërkuam llogari pse nuk kishte sinjalizuar ende përfundimin e pjesës së parë, pasi kishin kaluar 5 minutat shtesë. Madje, edhe goli i Muzakës ishte në pozicion jashtë loje. Në këtë moment, ai na tha tekstualisht kështu: “çfarë kërkoni ju, mos jeni gjë budallenj.. Unë nuk kam ndërmend të dal i vdekur nga stadiumi. Ju doni që të mos shkoj në shtëpi fare unë?!. Po jua them që tani, se edhe sikur të bëni dy gola, prapë do të pësoni tre, kështu që mos u lodhni kot. Ndeshjen do ta fitoj Skënderbeu”. – Sigurisht, kjo bisedë na demoralizoi dhe për hir të së vërtetës i dhamë të drejtë arbitrit Taullaraj, pasi kishte një presion të jashtëzakonshëm mbi supe – tregojnë futbollistët e Elbasanit në kushte anonimaniteti, pais i tremben një ndëshkimi nga ana e Federatës së Futbollit Shqiptar, e cila drejtohet nga ana e Armando Dukës, aksioner në një kompani me presidentin e Skënderbeut, Agim Zeqo.
Kjo është një tjetër provë e pakundërshtueshme dhe e rëndë për trupimin e këtij kampionati, i cili është konsideruar si më i turpshmi gjatë këtyre viteve.