Total Pageviews

Wednesday, March 20, 2013

Histeria e dënimit me vdekje përballë rënies së shtetit

Nga Bledar Lumani

 

Ardian Prrenjasi, njeriu që pranoi se ka vrarë një fëmijë 11 vjeç, ka rikthyer debatin e kthimit të dënimit me vdekje në vend. Blogjet dhe mediat gëlojnë për këtë ide dhe tashmë ka shpërthyer një histeri e vërtetë për dënimin e tij me vdekje dhe rikthimin e këtij dënimi ekstrem.
Ka një garë gati-gati të shfrenuar për sugjerimin e dënimit me vdekje të këtij njeriu. Duke nisur që nga prindërit e tij. T’i vihet tritol dhe ta hedhin në erë në sheshin “Skënderbej” sugjeronte ish-bashkëshortja e tij. Ta varin, të mos jetojë më asnjë sekondë ky monstër, shkruajnë dhe nëpër blogje dhe rrjete sociale.
Gjithë ky irritim është i kuptueshëm. Për më tepër po të kihen parasysh edhe disa ngjarje makabre që kanë ndodhur brenda një kohe të shkurtër, si rasti i Shaban Norjas apo vrasja e një vajze adoleshente të pafajshme.
Duket sikur askush nuk ndalet për një sekondë dhe të vërë në punë logjikën, por i ka hapur udhë urrejtjes për veprimin dhe vetë Ardian Prrenjasin.
A do të ishte zgjidhje vrasja e një njeriu për të vënë drejtësinë? A do të ishim ne më të mirë se Prrenjasi, nëse vendosim që të veprojmë pikërisht si ai? A kemi ne të drejtë të vendosim që t’i marrim jetën një njeriu, qoftë ky edhe më krimineli dhe monstra?
Personalisht mendoj se jo. Debati nuk duhet të drejtohet nga dënimi me vdekje i këtij personi, por nga kapitullimi i shtetit, më saktësisht sistemit të drejtësisë dhe vetë shoqërisë.
Nëse do të kishim një sistem gjyqësor normal, Ardian Prrenjasi sot do të ishte në burg, ndërsa Julian Çela, fëmija 11-vjeçar i rrëmbyer dhe vrarë nga ai, në shtëpinë e vet. Fakti që gjykata e ka dënuar vetëm me një gjobë qesharake disa vite më parë, edhe pse akuzohej për pedofili dhe madje ishte dënuar për këtë vepër në Greqi, dhe fakti që gjykatat kanë vepruar pothuajse njësoj edhe me Ardianët e tjerë, tregon se këtu nuk funksionon sistemi i drejtësisë. Fajtori në kërë rast për vrasjen e këtij fëmije nuk është Prrenjasi, por gjykata. Ai që duhet dënuar me vdekje, është pikërisht sistemi i drejtësisë.
Dhe jo vetëm se ka përgjegjësi për vdekjen e Julian Çelës. Ka përgjegjësi edhe për ata që humbën jetën në Gërdec, në Bulevard, por dhe qindra rasteve abuzimi që shpesh mbeten larg syrit të mediave. Pas dy ditësh, ky sistem drejtësie liron Mihal Delijorgjin, një prej njerëzve përgjegjës për vrasjen e jo një, por 26 personave. Më pas do lirohen me radhë edhe Ylli Pinari, Dritan Minxolli etj, ndërkohë që disa të tjerë, si ministri Fatmir Mediu apo djali i përfolur i kryeministrit, Shkëlzen Berisha, as që janë gjykuar.
Çështja nuk zgjidhet me urrejtjen kolektive dhe histerike ndaj një njeriu me çrregullime mendore dhe emocionale, por me ribërjen e sistemit të drejtësisë. Për këtë duhen ligje të mira, gjë që në rastin e pedofilisë nuk i kemi, pasi dënimi maksimal për këtë vepër në Shqipëri nuk shkon më shumë se 15 vjet. Për të kaluar pastaj tek njerëzit e drejtësisë, të cilët janë kthyer në simbolin e rënies së shtetit në këtë vend. Kjo e fundit në fakt është edhe pjesa më e vështirë, pasi ligjet mund të ndryshohen dhe rregullohen, ndërsa njerëzit jo. Dhe nuk është fjala vetëm tek prokurorët dhe gjyqtarët që janë sot. Edhe po t’i heqim të gjithë dhe të vendosim njerëz të tjerë, do të vidhnin dhe bënin padrejtësi njësoj edhe këta të fundit. Është çështja tek mentaliteti i shoqërisë shqiptare, e cila për fitime materiale ka asgjësuar tashmë moralin dhe dallimin nga ajo që është e drejtë dhe ajo që nuk është e tillë, nga ajo që është e mirë dhe nga ajo që nuk është.
Është e vërtetë që ka një shpërthim frikshmërisht të madh të dhunës, duke nisur nga vjedhjet, përdhunimet, rrëmbimet dhe vrasjet, por gjithë kjo ndodh si pasojë e prishjes së hallkave të shtetit, duke nisur nga policia, prokuroria dhe në fund gjykatat. Por, zgjidhja e problemit nuk ndodh me dënimin me vdekje. E kanë SHBA-atë këtë dënim ekstrem dhe megjithatë vrasje dhe krime makabre në atë vend ndodhin pothuajse çdo ditë.
Gjëja me rëndë që mund t’i bësh një njeriu, është t’i marrësh jetën. Ne nuk kemi pse e ligjërojmë këtë gjë, pasi boll jetë merr krimi. Shteti ka për detyrë që ta mbrojë jetën. Dhe të gjithë duhet të luftojmë për këtë gjë, si të mbrojmë dhe përmirësojmë jetët tona. Është pikërisht kjo që duhet të kërkojmë nga ky shtet, asgjë tjetër.

No comments:

Post a Comment