Privatizimi i OSSH
nga një kompani e njohur në tregun energjetik si CEZ nuk solli
rezultatet e pritura nga të gjithë, duke pasur parasysh planin e
paraqitur për transformimin e shoqërisë të zhytur në korrupsion dhe
borxhe.
Kur duhen edhe katër muaj nga dyvjetori i privatizimit të OSSH-së,
problemet me kompaninë nuk kanë të sosur. Pavarësisht investimit me 60
milionë euro në sistem, krijimit të qendrave të kujdesit ndaj klientit,
faturës së re, të detajuar etj, çekët janë duke hasur probleme nga më të
ndryshmet, që as vet ata nuk i kishin parashikuar kur blenë Operatorin e
Shpërndarjes, ish-degë e KESH-it, për 102 milionë euro.
Drejtues të CEZ thonë për “Shqip” se, çdo muaj paraqiten pranë zyrave
rreth 3 mijë ankesa dhe që prej krijimit të zyrave për kujdesin e
klientit regjistrohen në total mbi 18 mijë shqetësime të depozituara nga
abonentët për probleme të ndryshme. Kryesisht ankohen për faturimin e
viteve të kaluara. Në momentin që abonenti kujtohet ose ndërgjegjësohet
për të qenë një pagues i rregullt i faturave të dritave, ai has me
gjendjen e krijuar ndër vite. Borxhet që duhet të mbledh CEZ Shpërndarje
(ish-OSSH) shkojnë në mbi 15 miliardë lekë dhe mbledhja e këtyre
shumave është kthyer në sfidë më vete.
“Në të gjithë problematikën që hasim, jo të gjitha mund të zgjidhen
njëherësh, brenda një viti. Ne i pranojmë fajet tona, pasi menaxhojmë
mbi 1 milion fatura që hidhen në sistem çdo muaj, por problemet në
terren janë shumë të mëdha dhe kërkojnë mirëkuptimin e të gjithëve”, -
tha për gazetën drejtori i CEZ, Josef Hejsek.
Kompania çeke deklaron se për trajtimin e ankesave nevojiten të paktën
30 ditë kohë, por jo gjithnjë zgjat në këtë afat, pasi përgjigjet mund
të jepen edhe brenda në kohë. Për të pasur një kontakt më të
drejtpërdrejtë me abonentët dhe për të ofruar zgjidhje dhe shërbime më
të shpejta, CEZ parashikon që për vitin 2011, brenda 6-mujorit të parë
të hapë edhe 40 qendra të tjera për kujdesin ndaj klientit, kurse sot
operon me tre qendra, dy në Tiranë dhe një në Durrës.
Për këtë vit, CEZ parashikon të investojë edhe 35 milionë euro të tjera
për modernizimin e sistemit energjetik, që mundëson shtrirjen e të
paktën 300 kilometra kabull dhe zëvendësimin e linjave, nga 6 kilovolt
në 35 kilovolt, në mënyrë që të mbahet fuqia transportuese e energjisë
dhe të mos kemi më mungesë dritash.