Total Pageviews

Saturday, May 7, 2011

Kryeqytetarja!


Nga Mero Baze




Flora Hanelli është një pedagoge e sertë matematike, që bashkë me burrin e saj mbahen mend gjatë nga studentët që mbarojnë inxhinierinë në Tiranë. Unë vetë jam një student i tyre dhe ende më del në gjumë provimi me Hanellin. Memoria e fortë për ta, ka të bëjë me faktin se ishin të rreptë, të drejtë dhe të pakompromis. Dje Flora Hanelli u bë personazh i medies shqiptare, pasi fare spontanisht, e zemëruar si qytetare dhe e fyer në inteligjencën e saj, ishte futur me dhunë në një klasë ku duhet të dëgjonte gënjeshtra, rrethuar nga badigardë dhe një trupë shëtitëse që shoqëron kandidatin Lulëzim Basha. Shpërtheu dhe zhbëri për 5 sekonda atë që Lulëzim Basha kishte tentuar ta bënte për 5 javë, fushatën e montuar elektorale dhe profilin e tij paqësor. Disa badigardë me fytyrë banditi iu afruan pedagoges së nderuar dhe e hoqën zvarrë jashtë, ndërsa studentët duartrokisnin pedagogen e tyre dhe të revoltuar zbrazën sallën. Zyra e shtypit e Lulëzim Bashës, që nuk lë kasetë dhe e-mail pa dërguar, heshti. Njeriu që i premton Tiranës transparencë, fshehu përballjen e tij të parë me një qytetare kurajoze. Menaxherët e fushatës së tij heshtën. Vrapuan pas kësaj në një sallë të Tiranës për të bërë një aktivitet tjetër që të mbulohej skandali. Mediat televizive kombëtare heshtën, duke e bërë dhe më të fortë dhimbjen për mungesën e moralit të tyre në këtë fushatë.
Flora Hanelli u kthye e tronditur në zyrën e saj, shoqëruar nga e bija dhe disa studentë që ja hoqën nga duart badigardëve të dhunshëm të Lulëzim Bashës. Njeriu prej plasteline u deformua për 5 sekonda përballë një njeriu të vërtetë. Maska e dyllit ra nga fytyra e tij sapo një zonjë i kujtoi se ka lënë katër palë fëmijë jetimë. Tirana humbi dje një takim të qetë elektoral, por fitoi një qytetare të rëndësishme të saj, ndoshta qytetaren më të rëndësishme të kësaj fushate, Flora Hanellin.
Ky gjest na bëri të reflektojmë gjatë mbi gjestin e gazetës Tema ditën e diel, që botoi në faqe të parë një kopertinë denoncuese mbi përgjegjësinë e Lulëzim Bashës për vrasjet e 21 Janarit. Kemi pasur reagime të përziera rreth saj, reagime të cilat ishin në shumicë absolute mbështetëse, por me debate rreth thellësisë ku duhet të shkohet me këtë akuzë.
Dje Flora Hanelli na bëri të skuqemi të gjithë, duke na treguar se sa të padrejtë jemi me dy vajzat e mitura të Aleks Nikajt, sa të padrejtë jemi me lotët e Anës dhe vëllezërve të saj që u mungon babi i vrarë para derës së qeverisë me duar në xhepa, sa të padrejtë jemi treguar në këtë fushatë me fëmijët e Hekuran Dedes që po qajnë në vetmi dhe harrim babain e tyre, dhe djalin e mbetur të Faik Myrtaj, i cili duhet të përballojë jo vetëm ikjen e babait, por dhe dëshpërimin vrastar të vëllait që nuk e duroi dot atë dhembje. Flora Hanelli ndryshe nga persiatja jonë meskine mbi qejfmbetjen e Lulëzim Bashës, e tha qartë dhe shkurt duke treguar me gisht vrasësin që la “katër palë jetimë rrugëve”.
Flora Hanelli foli për të gjithë ne që heshtëm në meskinitetin tonë, për kolegët e  mi që në këtë fushatë numërojnë lekët në vend të raporteve, për pronarët e medieve që numërojnë spotet e reklamave në vend të viktimave, për njerëzit e trembur të administratës që numërojnë lekët e rrogës, para se të numërojnë rreshtat që formojnë në salla mbledhjesh e sheshe mitingjesh të detyruar. Flora Hanelli mbrojti mbi të gjithë Universitetin e saj, atë institucion që ka ngritur me duart e saj dhe burrit të saj për 25 vite dhe që i ka dhënë dinjitet  së bashku me kolegët e saj. Ajo foli për të gjithë shoqërinë e trembur shqiptare, për të gjithë median e shitur, për të gjithë ata që duan të na detyrojnë të harrojmë se Lulëzim Basha po përdor këtë dekor fushate për të mbuluar gjakun e patharë, derdhur prej tij në bulevard.
Dje Flora provoi përse Lulëzim Basha donte një fushatë të montuar elektorale në ekrane. Përfytyroni sikur Basha të kishte bërë një fushatë të lirë elektorale, të mos dilte nëpër rrugët e Tiranës me trupën e tij shëtitëse teatrale që zëvendëson popullin e vërtetë, se sa qytetarë të lirë  do të njihnim në këtë qytet. Flora provoi se Lulëzim Basha dhe Sali Berisha kanë qenë të qartë për krimin e tyre. I pari Sali Berisha u largua nga Tirana dhe po endet rrugëve të Shqipërisë pa shkelur në këtë qytet, ndërsa i dyti po sillet nëpër rrugët e këtij qyteti si fantazëm, brenda akuariumit që i ka prodhuar stafi elektoral. Një ditë kontaktoi pa dashje me një qytetare të futur pa leje të tij në sallë nën bindje të thellë se brenda atyre mureve gjithçka është me pushtetin dhe u diskretitua. Kjo tregon sa regresive dhe turpëruese është për ato media transmetimi i kasetave dhe mungesa e gazetarëve pas një aktori të rëndësishëm elektoral. Dhe mbi të gjitha tregon degradimin e shtetit ligjor prej këtij kandidati që shkel ligjin për arsimin duke dhunuar universitetet private dhe ato publike, të privatizuara nga partia e tij për të mashtruar qytetarët.
Dje Flora provoi mbi të gjitha se kurajoja nuk ka vdekur dhe se e keqja zhbëhet vetëm duke i dalë përballë. Fjalori i ashpër i saj kundër vrasjeve i krahasuar me fjalorin e Henri Çilit kundër transparencës, në të vërtetë ballafaqojnë dy botët akademike, atë reale dhe atë të rremë në Shqipëri.  Sapo videoja e saj filloi të shfaqej në faqet e internetit dhe ekrane në Tiranë, një bombë artizanale shpërtheu pranë çadrës rinore të opozitës në Bulevard duke plagosur një të ri, ndërsa në Laç u vra vëllai i një deputeti socialist. Qetësia humbi menjëherë dhe maskat e dyllit, që fshihnin skërmitjen e dhëmbëve duke e transformuar në buzëqeshje, ranë. Në këtë qytet, njeriu që do të bëhet qytetar i parë i tij, është në akuzë për vrasje politike. Milionat e pushtetit janë angazhuar ta pastrojnë gjakun nga duart e tij, por mjafton një njeri i lirë për ta bërë të duket e rreme liria e ofruar nga një pushtet i dhunshëm. Faleminderit Flora Hanelli. Me gjestin tuaj, ju i keni vënë notë kaluese një shoqërie, e cila po mbeste në klasë në provimin e demokracisë.

Mos hidhni në votë detyrimin për drejtësi ndaj Aleks Nikaj!



Dy vajzat e Aleks Nikës, Amelia 2 vjeç dhe Mentila 5 muajshe, të mbetura jetime pas 21 janarit 2011







Apel për Sali Berishën dhe Edi Ramën
Nga Avokat Mark Nikaj*
Amelia është 2 vjeç, ndërsa Mentila 5 muajsh. E madhja flet dhe ka nisur të kuptoj se babai po vonon të kthehet në shtëpi. E dyta ende. Një të diel më parë televizionet transmetuan 25 herë një kronikë se si një baba i ri i sjellshëm, mori vajzën e tij për dore bashkë me gruan e veshur me 20 mijë euro rroba dhe aksesorë, dhe shkuan të shikojnë në Teatrin e Kukullave përrallën e “Mamadhisë dhe 7 kecave”. E bombarduar me pamje të moshatarëve të saj, që shkojnë ne teatër (ani pse në mënyrë teatrale) me prindërit e tyre të qeshur që bëjnë sikur i duan gjithë fëmijët në atë sallë, Amelia u ngrit befas e mërzitur nga kolltuku dhe thirri “Dua edhe unë babin!”
Të gjithë ne të tjerët që tani jemi dërrmuar nga vrasja e djalit tonë më 21 Janar, kemi mbi tre muaj që përpiqemi të kemi një përgjigje për këto dy vajza jetime. Babai i tyre u vra më 21 Janar në Bulevard. Por ky shpjegim i thatë nuk mjafton për dy vajzat jetime. Ato natyrisht duan të dinë gjithçka. Duan të dinë pse ajo vajza bionde që ka lindur në Holandë është e qeshur dhe e lumtur duke shkuar me babin dhe nënën e saj të pasur duke parë kukulla dhe pse ajo s’mund ta bëjë atë. Ato ende nuk e kuptojnë se ai djalë i qeshur buzagaz, i dashur me fëmijët e tjerë në sallë, i ka lënë jetime. Ne ende nuk kemi si t’ia shpjegojmë këtë gjë se janë të vogla.
Unë që kam këtë dramë, jam xhaxhai i Aleks Nikaj, dhe jam pjesë e kësaj drame të përditshme në familjen tonë. Familja dhe të afërmit po përpiqen përditë të gjejnë forcë për të mbijetuar, por e vetmja shpresë që gjithçka të mund të degradoj është drejtësia.
Unë jam i thyer në moshë dhe e di mirë pse është vrarë Aleksi. E njoh mirë njeriun që u krenua me vrasjen e tij, Sali Berishën, dhe duke njohur atë njoh mirë dhe njeriun që përdori për këto vrasje Lulëzim Bashën. Mes makthit të vdekjes së Aleksit në javën e parë kur ai mbijetoi deri sa vdiq në Turqi, mua dhe familjes së Aleksi do të na duhej të duronim dhe fyerjet për të, do të na duhej të duronim mburrjet makabre të Sali Berishës që ishte gati të vriste “jo 3, jo 30, por 300” nëse shkeleshin institucionet. Ato ditë nuk do t’i harrojmë kurrë. Nëna e Aleksit errej dhe gdhihej në shkallë me sy nga rruga duke pritur mandatën, ndërsa ne me sy nga ekranet se mos Sali Berisha dhe Lulëzim Basha vazhdonte të fyente gjakun e pafajshëm të djalit tonë.
Po të drejtohem në emër Sali Berisha, dhe ty Lulëzim Basha. Kështu do tu drejtohem derisa drejtësia të vihet në vend, pasi nuk kam ndërmend t’u njoh për kryeministra apo ministra, por thjesht si njerëz që më keni borxh gjakun e Aleksit. Ne jemi duke pritur që drejtësia të veprojë dhe ju të merrni përgjegjësi për atë që keni bërë. Në ethet e kësaj fushate elektorale, ju po përpiqeni të votëbesoni shoqërinë shqiptare pro apo kundër gjakut të djalit tonë, po përpiqeni të përdorni emocionet politike për të marrë pafajësinë politike për atë që keni bërë. Gaboheni rëndë. Drejtësia për gjakun e djalit tonë, nuk vihet nga fushata elektorale dhe as nga përpjekjet tuaja për blerë votën popullore që të harrohen krimet. Drejtësinë për gjakun  pafajshëm të Aleksit e vendos vetëm drejtësia dhe ju na kini fyer rëndë duke na ofruar si alternativë të së ardhmes përgjegjësit e kësaj tragjedie. Dy mbesat e mia të mbetura pa baba, as qetësohen dhe as mërziten nga fitorja apo humbja e Lulëzim Bashës në Tiranë, por trishtohen nga mungesa e përjetshme e babait në shtëpinë e tyre dhe duan drejtësi. Ndryshe nga dy mbesat e mia, mbesat dhe nipat e tu Sali Berisha kanë plot pare, kanë vila dhe pasuri, kanë mundësi të udhëtojnë gjithë botën dhe jetojnë të lumtur. Mbesat e mia nuk ia kanë lakminë fatin e nipave dhe mbesave të tua, por nuk kanë për të ta falur kurrë fatin që ti u imponove duke i lënë pa baba, nëse pengon drejtësinë të shkojë në vend. Është mire t’i japësh shans të vërtetës dhe të mos manipulosh ende me vdekjen e babait të tyre. Është mirë t’i dorëzosh drejtësinë, armën që vrau, njeriun që qëlloi, njeriun që urdhëroi dhe njeriun që komandoi gjithçka. Kjo do ta bëjë më të vërtetë lumturinë fallso të nipave dh mbesave të tua.
Ne nuk do të reshtim së kërkuari drejtësi për Aleksin, me të gjitha rrugët, në të gjitha gjykatat, me gjithë miqtë dhe aleatët tanë, deri dhe me gjykatat perëndimore.
Ti Sali Berisha dhe Lulëzim Basha duhet ta dini mire se Aleks Nika ishte djali i shtëpisë sonë, babai i dy vajzave të mitura, djalë i një nëne që po plas nga dëshpërimi. Ai nuk ishte as i Bamir Topit, as i Ina Ramës, as i Edi Ramës dhe as i puçistëve të tjerë që ju shpikët për të mbuluar të vërtetën e vrasjes. Ti Sali Berisha nuk mund të na bësh dot karshillëk as me ligje, as me politikë dhe as me pseudointelektualë e pseudomirditorë si Frrok Cupi, Mark Marku dhe të tjerë që kanë shitur shpirtin e tyre për tu bërë avokatë të atyre që derdhën gjak të pafajshëm në një vend që synon të hyjë në Evropë.
Ti Sali Berisha bërë çfarë munde ta poshtërosh vdekjen e tij, duke u sjellë si armik i tij dhe kur ai ishte duke vdekur. Shkuat në Spital dhe nuk i hodhët as sytë, shpërbleve gardistët që e vranë dhe turpërove një komandant garde që nuk la as gruan e vet të vinte të ndahej me Aleksin që e kishte djalë dajoje. Ti u tregove shpirtzi dhe cinik duke ftuar në mbledhje të qeverisë publikisht Shakirën të vinte të këndonte për mortin e djalit tonë. Këto nuk t’i kemi harruar, por dije se nëse vazhdon të pengosh gjykimin dhe hetimin tënd dhe bashkëpunëtorëve të tu në këtë krim, ne nuk do ta falim kurrë.
Ti Sali Berisha dhe vartësi yt Lulëzim Basha keni seleksionuar në këtë vrasje Aleks Nikaj, si djalë të vetëm që nuk ka kush t’i marrë hakun.  Ne po kërkojmë që drejtësia të veprojë, dhe nuk deinkurajohemi as nga trembja që ti i ke bërë Presidentit të Republikës apo kryeprokurores. Unë jam ende i tronditur nga deklarata e Presidentit që tha se ky krim nuk duhet të kishte ndodhur, a thua se kjo është çështje morale dhe jo ligjore. Në të vërtetë detyra e tij është të reagojë duke mbrojtur Kushtetutën dhe lirinë e qytetareve për të demonstruar, duke çuar para drejtësisë fajtorët, dhe zbardhjen e krimit.
Ti Sali Berisha dhe vartësi yt Lulzim Basha po shpikni lloj konfliktesh me Presidentin, kryeprokuroren dhe institucione të tjera me qëllim që të keni një alibi për vonesën e së vërtetës. Lulëzim Basha ka shpëtuar një herë nga drejtësia duke sajuar sherre të tilla dhe duke shtyrë afatet e hetimit. Por gabon se mund të shpëtoj gjithmonë me të njëjtën mënyrë. Masakra e 21 Janarit është vepër kriminale me rrezikshmëri të lartë shoqërore dhe është paksa dyshues fakti që ai nuk ju besua Prokurorisë së Krimeve të Rënda, me gjithë respektin që kam për grupin e prokurorëve që po heton. Ju nuk mund ta mbyllni këtë histori pa na treguar vrasësin dhe shkakun e vrasjes.
Ti Sali Berisha dekonspirove veten që je i përfshirë i gjithë në këtë krim, pasi fillimisht hodhe versionin që kishe përgatitur paraprakisht që viktimat i vrau opozita. Pastaj tentove të mashtroje me mjekët e Spitalit Ushtarak. Kur të gjitha alibitë të ranë, thirre në ndihmë miqtë e tu politikë në Perëndim dhe u shpjegoje se kishe qëndruar 5 orë i rrethuar dhe se vrasjet ishin legjitime. Fal zotit miqtë e tu në Perëndim që ti përdor në ekrane te blera në Tiranë i sfumoi deklarata e përgjegjshme e presidentit francez Sarkozi, i cili e bëri të qartë se Perëndimi nuk toleron asnjë vrasje qytetari që proteston në Evropë. Ty Sali Berisha të mbeti turpi i përpjekjeve të dështuara për të prodhuar një legjitimitet ndërkombëtar për vrasjen e Aleksit dhe tre qytetarëve të tjerë shqiptarë.
Ti Sali Berisha ke boll miq në Turqi dhe sidomos në politikën turke. U ke dhënë gjysmat e pasurisë së shqiptarëve, përfshi Telekomin dhe bankat. Shpresoj mos të jesh duke e përdorur këtë miqësi për të penguar ardhjen e provës për djalin tonë nga Turqia. Është mirë ta ulësh drejtësinë të bëj punën e saj edhe  pse boll e ke penguar dhe me kaq sa ke bërë.
Në konceptin tënd, duket sikur ne jemi duke kërkuar një deklaratë noteriale për të pranuar krimin, si ato që ti sajoje muaj më parë nga shokët e djalit tënd, kundër opozitës. Jo. Ne po kërkojmë të hetohet,  direkt apo indirekt, me prova dhe dëshmitarë, që të shkohet tek e vërteta, pa pasur nevoja për deklarata noteriale të vrasësit. Tri muaj më pas ne dimë thuajse gjithçka ka ndodhur aty brenda. Kemi mësuar  kush ja ka nxirë syrin Andrea Prendit nën presionin e hapjes zjarr mbi turmat dhe po ashtu kemi mësuar për prezencë civilësh të armatosur ne korridoret e tua. Prokuroria besoj e ka më të lehtë se ne të provojë se dy njerëzit që qëndronin në katin e dytë pas xhamave të blinduar Sali Berisha dhe Lulëzim Basha, komanduan Andrea Prendin dhe nën presionin e paramilitarëve që ishin brenda në godinë, të merrte përsipër hapjen e zjarrit, i cili ka shkaktuar vdekjen e 4 qytetarëve. Tani përveç anës tragjike që ka vrasja e katër qytetareve, ana barbare e kësaj historie, është se ata që urdhëruan vrasjet kanë urdhëruar dhe fshehjen e armëve, fshehjen e filmimeve dhe fshehjen e autorëve që hapën zjarr mbi qytetarët. Dhe këtu rrethi ngushtohet tek dy njerëz, Sali Berisha dhe Lulëzim Basha.
Në fund kisha disa fjalë dhe për opozitën dhe liderin e saj Edi Rama. Të gjithë e dimë se kur një qeveri vret popullin e vet, asaj i mbaron kontrata me qytetarët dhe i dorëzohet drejtësisë. Në rastin konkret qeveria refuzoi ta bëjë këtë dhe opozita nuk arriti t’i imponojë qoftë dhe me forcë.
Unë e kuptoj se shumë faktorë ndërkombëtarë u manipuluan për të ruajtur atë që quhet stabilitet, por të gjithë e kuptojmë se kjo është sikur të mbulosh zjarrin me hi. Asgjë më të pasigurt nuk ka në këtë vend, se të përpiqesh të ndërtosh stabilitet mbi trupat pa jetë të viktimave që kërkuan drejtësi.
Demonstrata e 21 Janarit u thirr nga opozita dhe ata qytetarë që dolën në rrugë ishin të ndërgjegjshëm për atë që bënin. Por ata u vranë. Opozita është vrarë dhe ajo duhet të gjejë rruat e saj për të rikthyer dinjitetin dhe drejtësinë në vend. Për ne që jemi vrarë dhe na mungojnë njerëzit tanë në shtëpi, nuk kanë më kuptim as zgjedhjet, dhe as përbetimet për drejtësi, derisa drejtësia të mos fillojë të funksionoj për të na dhënë shpresë. Asgjë nuk është më e rëndësishme se jeta e atyre që ikën dhe opozita shqiptare duhet ta bllokojë këtë teatër që luhet në emër të demokracisë, përmes Ujkut dhe kecave të trembur brenda shtëpisë.
Gjithë veprimet e qeverisë pas 21 janarit, gjithë paniku i tyre për të fshehur provat, gjithë mobilizimi i milionave për të blerë zëra ën Perëndim pro vrasjeve, gjithë përpjekjet për të përdorur këto zgjedhje për të pastruar historinë e vrasjeve politike, dhe gjithë paraliza e drejtësisë në këtë drejtim, provojnë fajëson e Sali Berishës dhe Lulëzim Bashës, ndaj opozita nuk duhet të dorëzohet para këtij fakti, ndryshe do të duket sikur Berisha dhe Rama po e hedhin në votë pafajësinë dhe drejtësinë për Aleksin dhe tre të varët e tjerë.

…

Më 21 Prill vdiq dhe nëna ime, gjyshja e Aleksit. Nuk ishte e sëmurë por dhimbja për Aleksin i plasi zemrën. Ky ishte një tjetër lajm i keq për familjen tonë. Por mos mendo se do të vdesim të gjithë në shtrat duke pritur pa fund drejtësinë. Do të dimë jo vetëm ta presim me dinjitet, por dhe ta shtyjnë përpara me dinjitet kohën kur të ndjehemi të lirë për shpirtin e Aleksit ngjitur në qiell. Dhe i lirë njeriu ndjehet kur drejtësia vihet në vend.

SKANDALI/ Një tjetër provë e trukimit të kampionatit shqiptar





Që ky kampionat është trukuar dhe i është dhënë Skënderbeut nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit, tashmë nuk ka asnjë dilemë dhe të gjithë e dinë. Është e tmerrshme në fakt, që edhe pse dihet kjo gjë, nuk merret asnjë masë dhe reagimi është kaq i vakët.
Por, e përditshmja sportive “Panorama Sport” ka zbuluar një tjetër provë të trukimit të këtij kampionati. Në ndeshjen e fundit, të cilën Skënderbeu e fitoi 1-0, gjyqtari i takimit, Artan Taullaraj, u ka thënë lojtarëve të Elbasanit që mos të mundohen kot, pasi edhe nëse shënojnë dy gola, do të pësojnë tre të tjerë, pasi ai e kishte vendosur që Skënderbeu do të fitonte me çdo kusht.
“Në momentin që Skënderbeu shënoi, shkuam me vrap tek Taullaraj dhe i kërkuam llogari pse nuk kishte sinjalizuar ende përfundimin e pjesës së parë, pasi kishin kaluar 5 minutat shtesë. Madje, edhe goli i Muzakës ishte në pozicion jashtë loje. Në këtë moment, ai na tha tekstualisht kështu: “çfarë kërkoni ju, mos jeni gjë budallenj.. Unë nuk kam ndërmend të dal i vdekur nga stadiumi. Ju doni që të mos shkoj në shtëpi fare unë?!. Po jua them që tani, se edhe sikur të bëni dy gola, prapë do të pësoni tre, kështu që mos u lodhni kot. Ndeshjen do ta fitoj Skënderbeu”. – Sigurisht, kjo bisedë na demoralizoi dhe për hir të së vërtetës i dhamë të drejtë arbitrit Taullaraj, pasi kishte një presion të jashtëzakonshëm mbi supe – tregojnë futbollistët e Elbasanit në kushte anonimaniteti, pais i tremben një ndëshkimi nga ana e Federatës së Futbollit Shqiptar, e cila drejtohet nga ana e Armando Dukës, aksioner në një kompani me presidentin e Skënderbeut, Agim Zeqo.
Kjo është një tjetër provë e pakundërshtueshme dhe e rëndë për trupimin e këtij kampionati, i cili është konsideruar si më i turpshmi gjatë këtyre viteve.

Saturday, April 9, 2011

Skënder Sherifi : Vepra ime, një amanet për rininë shqiptare!




 








Sapo ka dalë botimi i veprës suaj "Le trio eternel", përse ky titull dhe çfarë trajton vepra ?
Sepse është fjala për një TRIO mes një femre me kërkesa të gjithë anëshme dhe kontradiktore e cila kërkon çdo avantazh të mundshëm në jeten e saj, dëshiron të provojë gjithçka, prej botës së artistëve e deri te biznesmenet. Kërkon edhe Botë të brendshme sensibilitet dhe imagjinatë, origjinalitet, eksperienca të papara me artistë special e margjinal, por edhe kërkon lukset extreme. Kurse dy meshkujt janë prototipa që i njohim në shoqërinë tonë, dhe në shoqërinë njerëzore. TRIO është edhe ajo figura e njohur e trekendëshit në teatrin e komedive të bulevardit : ku e kemi gruan dhe burrin në relacionin zyrtar dhe kjo krijon ato komeditë italiane e franceze të skenës komike. Pastaj në fund por kjo është më tepër simbolike, psikanalitike e filozofike, si skaner i shpirtit njerëzor të thellë : është teori e imja në fakt … Por unë mendoj se qenia njerëzore është e trefishuar, dhe jo e dyfishuar si ç’mendojnë shumica e intelektualëve e psikologëve deri tani. PSE ? Së pari unë jam qenia e thellë, nektari autentik i imi, artisti, poeti, me boten e tij poetike, shpirtërore të shprehur në veprën e tij … ky është personi real, puro, esenca e qenies ( por është sekret, i fshehur në veprën e tij, në endrën e tij, në fantazinë e tij, në subkonshiencen e tij ose icebergun e tij ).  Së dyti : unë jam personi i jetës ordinere të përditshme, që ballafaqohet me problemet e jetës normale, familjare, personin që e takoni kudo në rrugë, në kafe, në shtëpi, dhe që e ka një imazh e një realitet krejt tjetër, praktik, konkret e ordiner, mos banal. Këto dy anët e personalitetit të njeriut, janë detyrimisht konktradiktore dhe hyjnë në konflikt njëra me tjetrën. Është sikur një luftë me momente revolte, paqe ose kompromisi  brenda qenies tonë.
Ju ka ofruar dikush financim për ta vënë në skenë ?
Jo nuk kam asnjë financim, asnjë mbështetje, asnjë premtim real e konkret deri tani.Por mundem ta bëjmë një apel që të na përgjigjet dikush ! Etapa e parë ishte që bile ta propozojmë veprën si projekt skenik e artistik, me një Libër të botuar, siç duhet …Bile së pakti e kanë mundësinë disa njërëz, studenta, dhe regjisora ose profesionista të skenës të lexojnë  veprën si tekst letrar në një libër konkret. Pastaj shpresojmë që ndonjë regjisor vjen spontanisht dhe shpreh dëshiren për ta inskenuar veprën, dhe i gjejmë mjetet financiare diku, ose te organet shetërore, ose te ndonjë mercenar shqiptar pasanik që e do artin ishalla, ose te ndonjë trafikant që e ka padashur një damar artistik të fshehur … ha … ha … ha … Dhe do ta bëjnë një gjest fisnik në jetën e tij !Tani vepra ka dal nga gjysma e muajit mars ( 15 mars ) dhe neve do ta organizojmë PROMOVIMIN zyrtar të Librit me daten e enjte me 1 4 prill 2011 te Salla e Akademisë së Artëve në Tiranë : BLACK BOX në ora 1 9 H ose 7 H të darkës, dhe jeni të gjithë të ftuar dhe të mirë ardhur natyrisht.
Cfare mesazhi ka për të rinjtë kjo vepër ?
Më duket a priori, por duhet me e konfirmuar rinia vetë … që vepra ka shumë mesazhe për Rininë shqiptare, dhe me modernitetin e saj, me ritmin muzikor, rock, rap, free jazz, plot supriza, improvizime, provokime, asocianone ideshë e stilesh … vepra flet për të gjitha tema     t aktuale në fakt, për jetën moderne, me betonizim, konsumin, ekranizim, me klonizim, me shpjetësi e amnezi, me mjegullat tona, me aproksimacionet tona, me mitet e realitetet, me ëndrat e dëshprimet tona, vepra flet për vendin e artit sot, për spiritualitetin, për realitetin kombëtar, dhe për temen qendrore të 3 personazheve siç e tham më parë : dashuria, lumturia, epikurizmi, qejfet, erotizmi, kërkesa e partenerit ideal … çka janë tema të jetës të çdokujt në fakt në rruzullin tokësor … dhe temat e tjera të shumta por tepër aktuale në Boten moderne të Metropoleve ( Paris – Londer – Neë-York ) janë në periferinë e temës qendrore, preokupimi kryesor i atyre 3 personazheve,Rinia do ta shef se e kam shprehur me një gjuhë të qartë e humoristike dhe problematiken e identitet tonë shqiptar, pozicionimin tonë me vetën dhe me boten e jashtme si shqiptar … imazhen, komplekset tona … raportet me mitin e realitetin tonëBesoj që e kam dhanë një mesazhë pozitive, një shembull për rininë, që mundem pa problem me qenë edhe shqiptar me specificitetet tona, me dinjitetin tonë, por edhe me qenë qytetarë modern të Europës e të Botës, duke i integruar stilet e jetës, dhe kulturate huaja si thesar, e si background suplementar. Dhe unë jam vetë si shembull konkret i atij miksimi e udhëkryqi kulturash e provojash jetësore …
 Jeni ndër autorët më të njohur në europë por jo në Shqiperi, përse ndodh kjo gjë ?
E gëzoj një farë popullariteti, një respekt nga meset intelektuale e artistike në Europen  Perëndimore sidomos te frankofonët ( Francë e Belgjikë ) në fakt prej që Pierre SEGHERS-i autor e botuas i famshëm francez me ka zgjedhur dhe adpotuar si një llojë „Djali i tij spiritual“ në Francë, duke menduar në vitin 1 9 7 6 se jam një talent i lindur, dhe ekspecional në skenën poetike pariziane, çka ndodhë 1 herë në çdo 10 vjet në Paris.Këto ishin fjalet e Seghersit … dhe pastaj mu ka konfirmuar ai statut pak spezial ( si fenomen atipik shqiptar i poezisë frankofone, si UFO i ardhur prej maleve iliriane )ma kanë konfirmuar atë talent dhe atë origjinalitet krejt shtypi frankofon, kritiket letrar belgë, zvicran e francez prej vitit 1 9 7 6 e deri sot në fakt pa ndërprerë ( pasi në vitin 2 0 0 8 siç e dini, shtypi belg e ka shpallur Librin tim : LOVE në Top 1 0-t’shin e librave më të mira të vitit në krejt Europen frankofone, sipas gazetarëve belgë të gazetës : LA LIBRE BELGIQUE.  Pra konkretisht, çuditem edhe unë nga një herë : i kam mbledhur 3 5 vjet lëvdata mbi veprën time nga gjithë shtypi frankofon me unanimitet 100 % … Specialistat, kritikes, letrarët, studentat e letersisë e amatoret e artëve e çmojnë veprën time prej fillimit …është diçka që më nderon sinqerisht, dhe ishalla e meritoj, kaq !
 Ju merzit ky fakt ?
Në Shqipëri e në Kosovë : ambienti është tjetër … në fakt mw njohin më shumë si personazh public nëpër mediat shqiptare … si Adelina Ismajli dhe Ciljeta …Mediat kanë qenë gjithmonë simpatike dhe me predispozim pozitiv ndaj meje, dhe i falenderoj, çka e kam bërë publikisht në librin tim TRIO në fakt permes një Letre personale e Autorit. Publiku zakonisht me njeh si figure, dhe studentat permes intervistave televizive, e sidomos permes Arian Canit në Zonën e Lirë … por kjo nuk mjafton fare si shkrimtar që i propozon një vepër origjinale kombit. Sepse nuk jam personazhë VIP i faqeve të gazetave që piu një birrë me Ciljeten në një disko pardje ! Po ironizoj natyrisht sepse nuk jemi takuar kurrë  (qesh).  Por ka qenw edhe bariera e veprës e botuar në gjuhen frënge, çka pak kush mundet me e lexuar nê Shqipêri. Pastaj edhe vepra e pêrkthyar nê gjuhen shqipe, e do një stimulus për ta lexuar e sot shumica e njerzve janë bërë demela, nuk lexojnë, mendojnë se pasi të kanë pa në television, të njohin dhe nuk kanë nevoj me të lexuar … leximi i poezisë done kohë, mundim, koncentrim, kërkesa spirituale e intelektuale të larta, qetësi … dhe sot je në zhurma e turma, amnezi e shpjetësi, konsumim e çorroditje … Më lehtë me dëgjuar Eminemin, me e veshur një këmishë Armani dhe me u ulur të Blloku me dy vajza “fashion viktima” të kohës aktuale, të pa mend, pa pyetje, pa filozofi, pa shpirtë, pa spiritualitet, pa poezi, pa hulumtim, pa thellësi, pa heshtje, pos konsumimit robotik e gjestikulimit absurd … Tani shpresoj që rinia do ta zbulojnë vepren si vepër ! Dhe në këtë aspekt edhe organet zyrtare nuk e kanë mbështetur aspak përkthimin e asaj, difuzimin e saj, integrimin e saj nëper rrjetet e programet shkollore … dhe me siguri nga rezistenca e disa personave që nuk po i permendi ( këtu i kemi ato veset e ballkanit ordinere : provincializmi, inati, xhelozia, klanet, korporatizmi, konfiskimi i disa hapësirave të çaktuara nga disa persona që nuk done që ti lejojnë të tjerët , më talentuoz se ta , me zenë vendin që e meritojnë aty ku duhet )  Këto gjëra i dime të gjithë me kohë, por koha i zbutë dikur, vine gjenerata të reja me psikologji më elastike e të rafinuar, me koncepte më evropiane dhe hapin pa tjetër perspektiva tjera në të ardhmen …
Ështe vepra e parë që keni përshtatur në shqip, sa e vështirë ka qënë ?
Po, kjo është vepra e parë që e kam shkruar në gjuhën shqipe , kjo ka qen sfida me e madhe  ne karrieren time si shkrimtar , sepse me te vertet jam shqiptar por nuk duhet  injoruar se jam  edukuar ne gjuhen frenge ne nje atmosfer kosmopolite , jam   frut  i kultures françeze e çila ashte  aq e pasur  dhe aq e pa kufishme ne te gjitha dimensionet intelekluale të saj. Për nje frankofon, nuk jemi asnjë her perfekt, po gjithçka ashte e mundur , edhe e arritshme.  Këtu pra qendron magjia e gjuhes frenge. kurse ne gjuhen shqipe  ndjehem shume shpejt i  pa oksigjen, pak i çforcuar  sepse  fjalori i saj ashte shumë i kufizuar  Gjuha ashte si nje parfumë që kur i merrni erë, kjo ju jep aq kenaqesi  mireqenje, konfort  psikologjikë, edhe ju jep sensationin, qe vështirsia nuk eksiston. Ndërsa, për nga jeta dhe eksperienca e ime, gjuha shqipe më ka lënë pershtypjen, që më  kufizon disa herë, dhe nuk ma jep lire dhe hapësiren krijuese që e kam spontanisht me frengjishten. Por kjo vlenë për mua natyrisht dhe nuk është rregull gjeneral. Me këte libër e kam pershtypjen, se do te jam ma afër publikut shqiptar, i cilli do ta kenë mundesinë të krijojnë pershtypjet e tij personale mbi stilin tim e boten time krijuese në këtë gjuhë.
Emri juaj është futur në Enciklopedinë "Larousse", sa krenar ju bën të ndjeheni ky fakt ?
Kjo ka qen nje kenaqesi edhe nje shpërblim për veprën time. Të jemi i integruar ne gjirin e  ketyre   shkrimtarve gjigant ( kolosë universal ) që e banojnë ket enciklopedi prestigjioze të Letersisë Botërore të Fjalorit francez LAROUSSE, që hartohet çdo 25 vjet në Paris, ishte një krenari, dhe një njohje gati zyrtare e institucionale e veprës ime, e origjinalitetit krijues. Ju e dini se çka do me thanë me hy në një Fjalor, si simbolikë ? Kjo vinte si me të thanë FRANCA : bravo zotëri, e ke një veprimtari që meriton respekt. Pastaj sinqerisht : çka ka me shtuar bota shqiptare ? Porse nga ana tjetër, e kam nje  pergjegjësi të madhe, edhe nje  presion  per të qenë në nivelin e duhur, pasi kam fituar besimin e personaliteteve të mëdha, dhe më duhet të mos i zhgenjej publikun, dhe gjithë ata që  ma kan vlerësuar aq lartë vepren time .
Çmendim keni për letërsinë shqiptare ?
Nuk pretendoj ta njoh letersin shqipetare, me qenë se une kam nje  « background » totalish  te ndryshem . Me ne te njejten kohe kame lexuar shume vepra te shkrimtarve  shqiptar, por  të perkethyer ne gjuhen frenge, edhe kam vlersuar nderta, nje pjes te vepres se Kadaresë, i cilli meriton si romancier një respekt absolut. Kam edhe një respekt të veçantë për dramaturgun e novelistin kosovar atipik e margjinal Anton Pashkun, që ende nuk e ka kuptuar kush pas 50 vitesh … Te klasiket e njohur i dua posaqërisht Migjenin dhe Lasgush Pogradecin. Por nuk jam i specializuar në letersinë kombëtare siç e thash më parë.
Cilin prej autoreve shqiptarë pëlqeni ?
?
Autori i huaj ?
Rimbaud, Baudelaire, Sartre, Camus, Ginberg, Onfray, Bernard-Henri Lévy, Glucksman.
Miku juaj me i mire ?
Miku im më i mirë është gjithçka i perket Artit, Kultures edhe Literatures.
Sa e rëndësishme është për ju letërsia ?
 Letersia eshte  arsyja e ekzistences time . edhe pasqyra e qenjes time njerzore . çdo njeri ashte unik , por kur jeni artist ose shkrimtar, kjo ju jep mundesi te tregoni sa i  veçantë jeni ne jet.  Artistat e kan nje pasaportë të veçantë, për tu futur në botën e magjisë, fantazmave edhe imagjinatës të pafund .Arti në fakt i shpreh misteret e Jetës njërzore, heshtjet, zonat e errëta, shpresat , energjitë e thella ndoshta të pa deshifruara të Njeriut.
Keni ndonjë peng në jetë, diçka që nuk keni patur mundësi ta realizoni ?
Jo … Globalisht kam realizuar çka kam pasur në mend …
Jeni larguar herët nga Shqipëria, ju merr malli shpesh për të ?
Po natyrisht që me merr malli për Shqipërinë, sepse mw lidh shpirti intim me vendin, me këtë popull, me gjenezen time në fakt … e ndiej vetën në familjen time me juve, dhe e dua shumë rininë shqiptare për vitalitetin, kuriozitetin dhe predispozimin e saj për inovacione e integrime në Europë, duke aspiruar pwr tw qenw si rinitë e tjera të Metropoleve të mëdha evropiane, dhe kanë të drejtë …Vetëm që dhuhet edhe me i mbajtur ato specificitetet tona, çka na dallon si shqiptar me të tjerët …
Pasioni juaj ?
Spektaklet, filmat , teatri , ekspozita, udhëtime, takime me njerëz, kuzhina origjinale e gastronomike, verëra prestigjioze …këto janë disa nga pasionet e mia.

Monday, March 21, 2011

Julian Deda : Kurre nuk thuhet kurre!



 Julian Deda
Tashmë janë në sezonin e tyre të tretë dhe duket se kanë arritur kulmin e pjekurisë së tyre artistike. Pas largimit nga “Portokalli” grupi “Shblsh” ka gjetur “strehë” në Vizion plus në spektaklin “Apartamenti 2XL” i cili është shndërruar shumë shpejt në një ndër programet më të ndjekura në Shqipëri. Në intervistën e dhënë për “Freepress” Julian Deda na flet për sezonin e ri të “Apartamenti 2XL”, projektet e tij teatrore, eksperienca në “Dancing with the stars”, oshilacionet në karrierën e tij si dhe marrëdhëniet me kolegët e tij.
Julian përshëndetje ! Si po shkon sezoni i tretë i “Apartamenti 2XL” ?
 Pershendetje dhe falemnderit për ftesën. Sezoni i tretë është pak a shumë si edhe dy sezonet e kaluar, gjithmonë në kërkim të materialeve dhe personazheve për të inskenuar. Mirëpo përveç sezonit të parë gjithë sezonet e tjerë kanë pak më shumë vështirësi pasi sapo ke kaluar një, dy apo tre sezone dhe  je i detyruar minimalisht të ruash të njëjtin standard dhe më pas të përpiqesh që të përmirësohesh. Për të bërë më të mirën dhe të jesh një shkallë më lart se vitin e kaluar duhet që të punosh më shumë . Por puna jonë varet shumë edhe nga realiteti, nga gjërat që ndodhin në jetën e përditshme. Sa më shumë gjëra që ndodhin në jetën e përditshme aq më tepër ngacmime do të kemi edhe ne për të bërë humor. Janë shfaqur dy puntata nga sezoni i tretë dhe më duhet të them që ka patur një impakt mjaft të mirë. “Apartamenti 2XL” është një spektakël që është bërë mjaft familjar dhe ndiqet shumë. Tashëm është një program që ka konsoliduar pozitat e veta dhe nuk është si në fillim kur pas puntatës së parë dhe të dytë prisnim reagimin e publikut pasi nuk dinim se deri ku do të arrinim. Tani ka marrë rrjedhën normale dhe jemi shumë të kënaqur nga shikueshmëria. Ky sezon duket se po ecën si dy sezonet e kaluara dhe besoj se do të pasohet nga një i katërt, i pestë e me rradhë pasi nuk shoh arsye përse duhet të ndaoljmë nëse ecen mirë. Megjithatë kurrë nuk thuhet kurrë.
Është sezoni i tretë me të njëjtët personazhe dhe të njëjtin drejtues, jeni bërë si një familje e vogël , apo jo ?
Po është e vërtetë. Jemi katër aktorë, Turi, producenti ynë dhe Genti Bejko regjizori. Jemi tamam si një familje e vogël. Por kjo është vetëm pjesa që duket në ekran.  Është dhe një staf i tërë që punon nga pas që e kthen këtë familje në një fis të madh, por nga ata fise që kanë edhe nipër e mbesa (qesh). Jo vetëm stafi por është një kompani e tërë që punon për këtë program pasi Tring Digital e ka vënë në plan të parë këtë program dhe për këtë i falenderoj shumë. Jemi një familje e madhe por ne që punojmë përditë jemi një familje e vogël dhe i ndajmë mendimet afër e afër dhe diskutojmë pa u shpërndarë shumë dhe është një gjë mjaft e mirë për punën.  Sa më afër ti diskutosh gjërat aq më mirë është, sidomos kur ke të bësh me shqiptarë.Deri tani nuk kemi hasur shumë vështirësi pasi unë, Ermali dhe Genti njihemi prej kohësh dhe i kemi të ndara instiktivisht rolet . Gjithashtu me Turin merremi vesh shumë mirë pasi është një moshatar i yni dhe një person shumë i komunikueshëm. Gjithashtu edhe me Gentin pasi kemi punuar bashkë te “Portokalli”, kur ka qenë pjesë e “Shblsh” dhe e njeh mjaft mirë punën tonë, karakteret dhe temperamentin tonë.. Njihemi mjaft mirë me njëri-tjetrin  dhe kjo na e bën më të lehtë punën. Megjithatë jo çdo gjë shkon vaj. Kemi edhe ne problemet tona, nervat, ngërçet dhe situata që të vënë në vështirësi.  Por ngaqë jemi siç i thonë edhe gegët “Pak e sak” nr i kalojmë më shpejt dhe pa vështirësi ngërçet që kemi.
Ndjeheni më mirë të “Apartamenti 2XL” apo të “Portokalli” ?
Te “Portokallia” kam kaluar katër vjet të jetës sime artistike dhe jam ndjerë me të vërtetë shumë mirë. Aty kam hedhur hapat e para të karrierës sime dhe të fushës së komedisë e cila është një zhanër shumë i vështirë. Në të dy këto programe jam ndjerë shumë mirë dhe nuk mund ti krahasoj pasi nuk krahasohet molla me dardhën. Megjithatë duke e parë në këto momente mund të them se jam më rehat këtu. Rehat jo në kuptimin se po lodhem më pak ose nuk ka vështirësi por jam më rehat në mënyrën e të punuarit. Por nuk duhet harruar që shumë elementë të cilëti përdor tani për të bërë humor janë elementë të përfituar nga eksperienca që kam patur në “Portokalli”. Kam fituar disa gjëra që janë bërë pjesë e karakterit dhe personalitetit tim dhe i kam marrë me vete. Në aspektin profesional kam qenë shumë mirë atje si edhe në “Apartamentin 2XL” pasi kam punuar ‘pa hile’ dhe sa të kem fuqinë do të punoj po kështu. Puna jonë ka të bëjë edhe me sinqeritetin pasi do t’a marrësh një situatë dhe do ta vësh në skenë ashtu si ti e ndjen dhe jo siç e ndjen dikush tjetër. Gjithashtu ndryshojnë edhe formatet e dy programeve  pasi këtu jemi paksa më të “zbuluar”. Te “Portokalli” bënim një shumëllojshëmri rolesh dhe mund të përdornim paruke apo mustaqe në varësi të rolit, ndërsa këtu jemi ne me emrat tanë por që duhet tu përshtatemi situatave të ndryshme. Nga kjo pikëpamje mund të them që këtu është pak më e vështirë. Gjithsesi këto janë dy programe që kanë specifikat e tyre por mund të them që profesionalisht  këtu ndjehem shumë më mirë.
Keni patur edhe një përvojë relativisht në televizionin Klan, si do t’a konsideronit atë përvojë ?
Ajo ishte një përvojë kalimtare  dhe nga ana profesionale jo shumë e arrirë. Ishte një eksperiencë simpatike dhe kaluam një vit të këndshëm. Gjithsesi në karrierën e një artisti  ka oshilacione dhe periudha të dobëta. Karriera e një aktori është si EKG që i bëhet zemrës, ka uljet edhe ngritjet e saj. Nëse do të kesh gjithmonë ngritje atëherë do të vijë një moment që nuk ke ku shkon më dhe do biesh dhe do të thyesh kokën. Pas ikjes nga “Portokalli” kishim nevojë për një periudhë për të marrë veten  por e kaluam qetë dhe nuk zgjati shumë.
Nëse do t’ju propozonin do të riktheheshit të “Portokalli” ?
Ti po më pyet a do të rikthehesha të jetoja në Shkodër  (qesh) ? Për momentin nuk do të kthehesha por nuk i dihet kurrë. Televizionet në Shqipëri këta janë dhe mund të ndodhë që të rikthehem përsëri aty. Nuk shoh asgjë anormale në një rikthim timin. Ne në “Apartamenti 2XL” nuk kemi hezituar të ftojmë edhe personazhe që punojnë në Top Channel apo Klan, pa bërë asnjë dallim për median ku ata punojnë mjafton që ata të japin diçka nga vetja. Kuse në kampin tjetër nuk ekziston ky mentalitet. Nuk ka ekzistuar ndonjëherë dhe nuk ekziston ende. Në momentin që do të ekzistojë një mentalitet i tillë edhe atje atëherë nuk do të isha kundra një rikthimi. Bashkëpunimet janë gjithmonë të mira.
Jeni duke punuar me ndonjë projekt jashtë “Apartamenti 2XL” ?
Sapo kam mbaruar një komedi të Alma Hotit, një shfaqje e cila u dha edhe në Shkodër. Për momentin jam duke punuar mbi një pjesë të Woody Allen “Play it again, Sam”,. Një pjesë ku mbizotëron dialogu. Amerikanët flasin shumë, dialogojnë me njëri-tjetrin, jo si europianët të cilët mendojnë shumë dhe flasin pak. Është një pjesë që më përshtatet dhe në të cilën e ndjej veten jaft mirë.
Në cilin teatër do të shfaqet kjo pjesë ?
Nuk e kemi menduar akoma. Sapo të përfundojmë do t’a vëmë në skenë në njërën nga sallat që do të jenë të lira.
Mes gjithë këtyre angazhimeve a e gjeni kohën e nevojshme për të kaluar me familjen ?
Në të vërtetë kam shumë pak kohë për të kaluar me ta megjithëse do të dëshiroja që të kaloja gjithë ditën me bashkëshorten dhe fëmijët e mi. Gjatë kohës që është “Apartamenti 2XL” jemi tërë kohën duke punuar për të . Thuajse gjithë dita shkon nëpër prova  por sapo gjej pak kohë të lirë vrapoj te familja ime. Aty gjej shlodhje dhe megjithëse lodhem shumë me lojërat e tyre gjëj një shlodhje mendore dhe shpirtërore pas gjithë asaj ditë me stres. Mundohem që të dielën që kam pushim ta kaloj me familjen time dhe gjatë kohës që spektakli është pushim përpiqem që të rikuperoj kohën e humbur me familjen time. Përpiqem të argëtohem me aq sa kemi dhe nuk bëj një jetë luksi me avionë personal apo limuzinë (qesh), si të thuash as nuk kemi dhe as na mbarohen.
Vitin e kaluar ishit pjesëmarrës në “Dancing with the stars”, gota ishte gjysëm plot apo gjysëm bosh ?
Gota ishte plot fare, bile gati për tu derdhur (qesh). Me hamendjen time unë besoja se do të eleminohesha që në mbrëmjen e tretë por arrita ama të rezistoj deri në mbrëmjen e njëmbëdhjetë. Ishte një eksperinecë shumë e veçantë që të ndodh njëherë në jetë. Mësova disa gjëra mjaft të lezetshme rreth kërcimit dhe shumë prej nesh mësuan gjëra të reja. Para saj nuk dija të hidhja dy hapa dhe jo më të kërceja. Aty nuk ishte Julian Deda aktor apo Soni Malaj këngëtare, ne u përpoqëm të nxjerrim në pah disa vlera të tjera. Ishim duke komunikuar me publikun, duke kërkuar vota, duke kërcyer dhe kemi marrë mjaft emocione pozitive. Gjëja më e vështirë ishte momenti kur kërkoje vota. Tani e kuptoj se sa e vështirë e kanë politikanët tanë që kërkojnë vota megjithëse besoj politikanët tanë janë mësuar dhe nuk u bëhet më fytyra më rrudha kur dalin dhe kërkojnë vota sa herë që ka zgjedhje. Mu duk një gjë tmerrësisht e vështirë ti kërkoje vota publikut pasi nëse kërkon një gjë natysisht që duhet të japësh diçka në këmbim. Megjithatë ja kam kaluar shumë mirë dhe do t’a konsideroja një eksperiencë mjaft pozitive.
 Ju pëlqen jeta e natës ?
Nuk më pëlqen dhe as që më ka pëlqyer kurrë.  E frekuentoj shumë rrallë, jo vetëm tani që jam familjar  por edhe në kohën kur kam qenë student. Për mendimin tim shtë diçka e zhurmshme që edhe mund të të shqetësojë por kjo nuk do të thotë që jam kundër jetës së natës. Thjesht unë vetë nuk e përballoj dot. Më pëlqen që në Tiranë ka jetë natedhe të rinjtë festojnë dhe ka një larmishmëri jeta e natës megjithëse është pak kaotike në krahasim me qytetet  e tjera europiane. Në përgjithësi ne mesdhetarët pëlqejmë që të jetojmë më shumë natën pasi dita është pksa e nxehtë dhe nuk e përballojmë dot (qesh).
Pini duhan ?
Kam pirë që në moshën 16 vjeçare dhe nuk kam mundur që ta lë.
Marrëdhëniet me alkoolin ?
Shumë rrallë ndodh që të pi ndonjë gotë me miqtë e mi por në përgjithësi nuk jam pijedashës. E konsumoj shumë rrallë alkoolin.
 Falemnderit dhe suksese në sezonin e tretë të “Apartamenti 2XL” !
Falemnderit edhe juvedhe suksese gazetës “Freepress”.

Inis Gjoni : Tek teatri besoj se po gjej vetveten !


 Inis Gj


Që prej rikthimit të saj në Teatër Inis Gjoni duket se nuk dëshiron të ndalet më. Këtë rradhë ajo ka sjellë “Salla e Banjës” nga autorja franceze Astrid Veillon. Komedia flet pesë gra, të moshës 60-vjeçare e poshtë, që kërkojnë Princin e tyre të Kaltër. Hapësira ku femrat qajnë hallet dhe zbulojnë jetën e tyre sentimentale, bashkë me dyshimet për zgjedhjet që duhet të bëjnë në jetë, bëhet çuditërisht një banjë. Në këtë sfond zhvillohen ngjarjet e komedisë “Salla e banjës”, që mban firmën e regjisores Inis Gjoni, dhe ku marrin pjesë aktoret Hajrie Rondo, Marsela Lena, Klea Konomi, Klara Shehu dhe Niada Saliasi. Janë katër femra, katër karaktere, përballë të cilave qëndron një e pestë, nëna e njërës prej vajzave, interpretuar nga Rondo. Megjithëse ato janë shumë të zhgënyera, tradhëtuara dhe të mërzitura përsëri  presin princin e tyre të kaltër. Shfaqja është pritur shumë mirë nga publiku kryeqytetas në premierën e saj ku ndër të tjera knë mundur të marrin pjesë edhe disa gra nga burgu u gravë në Tiranë. Regjizorja Inis Gjoni na flet për vështirësitë dhe lodhjen që ka përjetuar për vënien në skenë të kësaj shfaqjeje dhe disa aspekte të jetës së saj private.
Inis, si po shkon shfaqja juaj më e fundit, “Salla e banjës”?
Jam shumë  e kënaqur për shumë arsye . E para sepse  kam kaluar dy muaj në prova dhe përgatitje shumë impenjative por që në fund më falën shumë kënaqësi . Kam  punuar me aktore të reja por tepër të përgjegjshme në profesionin e tyre, të përkushtuara dhe me një disiplinë që më ka bërë të ndjehem mes  artistëve të përgjegjshme  dhe që e duan  dhe e respektojnë profesionin  e tyre . Sigurisht që prezenca e artistes së madhe, zonjës Hajrie  Rondo na ka bere të ndjehemi komodë me thjeshtësinë e një  artisteje  të vërtetë  për të cilën e falenderoj. Atmosfera në grup ka qenë tepër e këndshme ndaj që në fillimet e saj them se e kemi shijuar këtë komedi por që nga ana tjetër dhe që jemi lodhur shumë . Por fakti që shfaqja është pritur shumë mirë na bën që të harrojmë lodhjen që të fal  çdo punë krijuese, impenjative . Diçka tjetër që më bën të ndihem mirë është dhe fakti  që kjo shfaqje tashmë po kërkohet të jetë në skenën e Teatrit Kombëtar nga publiku i cili po shfaq një interes mjaft të lartë. Fundja kjo është kënaqësia më e madhe  për një punë skenike, të jetë sa më afër publikut i cili shpesh është kritiku më i mirë .
Meshkujt , në shfaqje, cilësohen si “Derra”, të njëjtin mendim ndani edhe ju ?
Jo nuk mendoj ashtu  , bile edhe në shfaqje del  qartë se këto femra luftojnë në fund të fundit për të gjetur dashurine e tyre .
Hajrie Rondo mes katër femrave të reja, përse zgjodhët pikërisht atë ?
Prezenca e artistes Hajrie Rondo mendoj se ishte një zgjedhje e drejtë nga ana ime dhe jam shumë  e kënaqur që mu dha mundësia të punoj me një artiste si zonja Hajrie Rondo . Mënyra se si publiku e pret kur ngjitet në skenë është e mrekullueshme .
Mendoni se jeta teatrore është në lartësine e duhur në Tiranë ?
Këto  ditë teksa kam parë se si ka ecur kjo shfaqje më ka bërë të ndryshoj mendim ndofta jo tërësisht , por ka ende publik që e do teatrin dhe ndihem e kënaqur teksa shikoj njerëz që  vijnë në sportelin e teatrit të interesuar për të ndjekur shfaqjet në Teatrin Kombëtar . Përsa  i përket teatrit nëse ai është në lartësinë e duhur do të thoja se, aktualisht janë vënë në skenë shumë vepra të sukseshme si  “Art” e Artthur Miller, apo “Salla e banjës” dhe së shpejti do të vihet në skenë “Shtrigat  e Salemit “ .

Çfarë është teatri për ju ?

Tek teatri besoj se po gjej vetveten . Teatri është një magji që të bën të jetosh jetë , kohë , karaktere të ndryshme . Të zhvendos  shpesh herë në kohë dhe në hapësirë.
E konsideroni veten një femër tradicionale apo moderne ?
Pak nga të dyja .
Sekreti i formës suaj ? 
Nuk kam ndonjë sekret ,madje këto kohë nuk jam duke mbajtur as edhe ndonjë dietë e as duke shkuar në palestër , ndoshta duhet të jetë gjenetike  (qesh) .
Ndjeheni një femër me fat po një femër e zonja ?
Pak nga të dyja. Normalisht që duhet të jesh e zonja në punën që bën por duhet pak edhe ndihma e fatit.
 Do të bënit ndonjë gjë ndryshe nëse do ktheheshit prapa ?
Ndoshta kur kthejmë kokën pas gjithmonë mendojmë nëse shumë gjëra mund të bëjmë ndryshe , por unë personalisht nuk mendoj se do të ndryshoja ndonjë gjë por do të kisha dashur ndoshta ti bëja disa gjëra më mirë , pasi gjithmonë ka vend për përmirësim.
 Ju ka ngelur ndonjë peng në jetën tuaj apo ndonje peng artisitk ?
Nga jeta artistike nuk kam ndonjë pishman ,por do të doja që në të ardhmen të mos ndodhë që të kem ndonjë pishman.
Dini të gatuani ?
Nuk di mirë të gatuaj ,por mundohem ndonjëherë megjithëse nuk janë shumë të shijshme , por  e kam të zgjidhur këtë problem , motra ime e madhe gatuan dhe për mua .

Specialiteti juaj ?

Nuk kam ndonjë specialitet por do të thoja që makaronat ndonjëherë më dalin të shijshme .
 Pini cigare ?
Po . Por po mundohem që t’a lë .
Konsumoni alkool ?
Konsumoj me raste, vetëm kur mblidhemi me familjen dhe miq.


Si po shkon jeta juaj private ?
Shumë mirë .