Total Pageviews

Monday, December 13, 2010

Sandri sqarohet me berberin që ka shpëtuar Doktorin!

Berberi Dullë, më i famshmi i Tironës së vjetër, dëgjoi Berishën duke folë në TV Klan se kishte shpëtuar një berber gjatë kohës së komunizmit se kishte thyer xhamin e tavolinës së Berishës ku ishte poshtë fotografia e shokut Enver.
I shqetësuar për gënjeshtrën e Doktorit, mori në telefon Sandrin t’i shpjegonte rrethanat e thyerjes së xhamit.
- Unë jam Dulla, tha, ai berberi që e ka përmend doktori në intervistë.
- Ou, ku je Dullë? Të bëri figurë Doktori, e pe apo jo?
- Po çfarë figure mor më bani ai? Së pari unë nuk kam syze, së dyti si mund t’i bija unë me grusht tavolinës së Doktorit dhe ta thyeja xhamin nga ana e fotografisë së Enverit që doktori mbante poshtë xhamit, dhe së treti, pse duhet të shkarkohej Doktori për një gjë që e kisha bërë unë  dhe të mos dënohesha unë…
- Po pse si është puna?
- Unë kam shku një ditë në mëngjes tek zyra e Sekretarit të Partisë, Doktorit d.m.th. E kam pyet, a bën me shku në shtëpi sot se kena një sebep e do mblidhemi me çunat e xhajës?
- Jo, më tha ai, kemi mbledhje partie në mesditë.
- Po më jep leje mor burrë i thashë se ç’u bëri një berber ju në mbledhje të partisë.
Ai ulëriti fort dhe më tha: – Jo, nuk e lë unë të degjenerojë Partia e Punës kështu si thua ti. Dhe në rrëmbim e sipër i ra fort me dorë xhamit dhe e theu. Pastaj desh të ma hidhte mua, sikur e theva unë.
- Jo more. Po Doktori si shpëtoi?
- Po hiç o si shpëtoi. Kush do e merrte vesh atë veç atij dhe mua, i thashë unë mos ki gajle se e ndreq Dulla. Ene shkova unë tek Xhepi se ka pas punu tek fabrika e Qelqit. I thashë ma pre një copë xham se e kërkon ai dreq Sekretari i Partisë tek puna se do me mbrojtë fotografinë e Xhaxhit Enver dhe aq. E solla xhamin, ja dhashë, e vumë tek vendi dhe mbaroi puna. Me thonë të drejtën më pas më është gjendë gjithmonë. Bojsha unë si i sëmurë ndonjëherë kur doja me pi ndonjë gjë, me jepte raport. Ja di për nder. Po me punë partie mos më ngatërroj mu jahu se s’kom qenë ndonjë komunist i fortë. Vetë më patën futë për numër.
- Po mirë, ndonjë tjetër nuk kishte shpëtuar Doktori?
- Çfarë thu ti mi jahu, ku të falte ai. A din ti ç’i bëri Margaritës ai apo jo?
- Kujt Margarite mor burrë?
- Ka qenë grua e mirë shumë Margarita, ka qenë doktoreshë e Mehmet Shehut. Kur e vranë Mehmetin, ngeli dhe ajo e shkreta në dispozicion. Ja çun këtij tek spitali. Ky i mushi letrat brenda javës dhe e internoi mor jahu.
- Po ku e çoi?
- S’di lala, e nisi në Rrogozhinë një herë, pastaj në Kavajë përfundoi më duket. Po ishte grua e mirë fort. Po nuk të falte Doktori. Ka qenë i sinqertë me partinë.
- Jo ore? Po ndonjë që ka shpëtuar, a ka apo jo?
- Nuk di vallahi ça me thanë Dulla, po dhe këta të burgosurit e kishin frikë boll kur vinin në spital. Se flitshin ata, kupton ti, kur vizitoheshin. Tek ky nuk e hapnin gojën se ky deftente mor burrë. Ka qenë i sinqertë shumë me partinë.
- Po mirë Dullë, ndonjë gjë që ka bërë për mirë, që ta themi në TV. Del e thua dhe ti tek Fevziu, dhe merr ndonjë berberhane të re tek pallati që po bën Doktori.
- Jo mor jahu se s’du më berberhane tani se jam plak. Por mirë vetëm unë i kam bërë doktorit, se i gjeta xham të ri për xhamin që theu. Ai ka bërë mirë boll se doktor është, po për punë partie s’të falte, nuk bënte lëshime.

No comments:

Post a Comment