Total Pageviews

Wednesday, January 5, 2011

Dënohet Efraim Diveroli

Efraim Diveroli, pronari i kompanisë së armëve AEY dhe nënshkruesi i një kontrate 300 milionë dollarëshe municionesh me Pentagonin, është dënuar me 4 vjet heqje lirie për tentativën e dërgimit të armëve dhe fishekëve të ndaluar të prodhimit kinez në Afganistan.
25 vjeçari do ta kryejë dënimin në një burg federal. Gjykatësja Joan Lenard ia njohu meritën e pranimit të krimit, duke qenë se Diveroli u deklarua fajtor në 2009-tën për akuzën e mashtrimit.

Por Lenard shtoi se ai e meritonte një qëndrim të mirë në burg për faktin se skema e tij mund të vinte në rrezik jetët e ushtarëve amerikanë dhe aleatëve të tyre afganë.

Një pjesë e mirë e municioneve ishte dhjetëra vjeçare e me të gjitha gjasat, edhe të skaduara.

Emri i Diverolit është i njohur në Shqipëri pikërisht si ai i pronarit të firmës që merrte municionet nga Gërdeci.

Fishekët kinezë që ai ia dërgonte nga vendi ynë ushtrisë amerikane në Afganistan duke u falsifikuar origjinën, çuan në arrestimin e tij në 2008-n.

Si të mos mjaftonte kjo, Diveroli do të regjistrohej edhe në bisedë me një agjent të infiltruar që i ofroi ndërmjetësim për një kontratë armësh nga një fabrikë në Korenë e Jugut, në drejtim të Shteteve të Bashkuara.

25 vjeçari dëgjohej aty veç të tjerash duke u mburrur për shkeljen e statusit si i pandehur në pritje të dënimit.

Diveroli rrëfente një herë se kishte qenë për qitje në poligon me një mikun e tij e përmendte edhe një gjueti aligatorësh dhe derrash të egër në një zonë jashtë qarkut federal jugor të Floridës, ku kishte rënë dakord të qëndronte i lirë, si pjesë e kushteve të tij.

Në sallën e gjyqit të mbushur plot, gjykatësja Lenard tha se “është për të ardhur keq që dikush merr pjesë në një mashtrim të tillë në kurriz të njerëzve që vënë jetët në rrezik për të mirën e vendit të tyre”. “Dhe e gjithë kjo, bëhet për para”, vazhdoi ajo.

Vetë Diveroli u shpreh se kontrata e majme i ra në dorë kur ishte tepër i ri në moshë.

“Asgjë nuk ka vlerë përpara vuajtjeve që i kanë shkaktuar familjes sime veprimet e mia”, ka thënë ai.

Veç dënimit, Lenard vendosi edhe një gjobë prej 250 mijë dollarësh dhe i kërkoi Diverolit e bashkëfajtorëve të vet, t’i paguajnë qeverisë amerikane 149 mijë dollarë dëmshpërblim.

Kontrata e Pentagonit me AEY-në, e dhënë në 2007-tën, ndalonte në mënyrë specifike municionet nga Kina komuniste, municione të cilat Diveroli e të tjerët thjesht i ripaketonin e i bënin të dukeshin sikur vinin nga Shqipëria.

No comments:

Post a Comment