Total Pageviews

Monday, January 17, 2011

Ruci-Berishës: Po ikën nga mendtë

Ruci-Berishës: Po ikën nga mendtë
Kryetari i grupit parlamentar të PS, Gramoz Ruci u është përgjigjur akuzave që kryeministri Berisha i bëri kreut të PS Edi Rama lidhur me jetën private të tij.
Ruci është shprehur se me deklaratat e tij, Berisha jo vetëm që ka treguar degradimin e qeverisjes, por edhe qëndrimin e tij indiferent ndaj nevojave të qytetarëve shqiptarë, që po e shohin më së miri korrupsionin në radhët e kabinetit të tij.

“Ne i bëmë një ofertë sot kryeministrit, që të ikë e të largohet. Dhe tani mund të themi se Berisha po ikën, por po ikën nga mendtë. Sot, ti Berisha ike me ato që shqiptarët panë e dëgjuan. Sot shqiptarët panë e dëgjuan se si ti edhe mund të vjedhësh, por edhe mund të tallesh. Edhe mund të vjedhësh, por edhe mund të cirresh, të shash, të mashtrosh dhe të lësh Shqipërinë pa integrim dhe të jesh krenar. Edhe të jesh i korruptuar edhe të betohesh për ndershmëri”, i është drejtuar Ruci-Berishës.

Deputeti socialist, në emër të partisë së tij, ka ripërsëritur apelin ndaj qytetarëve shqiptarë për një pjesëmarrje sa më masive në protestën e 21 janarit.

“U bëj thirrje të gjithë arsimtarëve, që më 21 janar të marrin në dorë fatin e tyre, u bëj thirrje mjekëve e infermierëve, që nuk kanë marrë ende rrogat e dhjetorit, që të jenë më datë 21 dhe ne do jemi aty bashkë me ta. 21 janari nuk është protesta për ardhjen e PS në pushtet, por është protesta kundër kësaj qeverie. Ky kryeministër, që duhet të kishte një fije mend për të kërkuar ndjesë për atë shfaqje të ndyrë, ka marrë peng Parlamentin. Nuk ka për të pasur demokraci dhe parlamentarizëm pa u larguar ky njeri”, ka theksuar Ruci.

Më tej ai u ka drejtuar edhe një apel deputetëve të mazhorancës. “Deputetë të mazhorancës, juve s’keni faj sepse Berisha tallet edhe me ju dhe nëse keni ndopak guxim jeni ju që duhet të reagoni të parët”, ka thënë Ruci. Seanca po vazhdon edhe pas fjalës së tij e tensionuar me kryeministrin që përdor një fjalor që iriton deputetët e opozitës.

No comments:

Post a Comment