Total Pageviews

Sunday, January 23, 2011

Terrori, policia rreh gazetarët

Një gazetar është plagosur në dorë me armë zjarri disa të tjerë janë rrahur barbarisht nga policia

Terrori i djeshëm në rrugët e Tiranës nuk ka kursyer as gazetarët. Dhuna e policisë ndaj punonjësve fillon nga goditjet me shkopinj gome dhe shkelma deri tek armët e zjarrit. Gazetarët nuk i ka mbrojtur ndaj dhunës shtazarake të forcave të policisë as dokumentet e identifikimit si dhe statusi i informuesit të publikut.


Ened Janina redaktor i sektorit të Politikës dhe Ekonomisë në gazetën "Shekulli" është qëlluar në mënyrë kafshërore nga policët të cilët pas shpërndarjes së turmës filluan të godasin personat që lëviznin të vetëm në rrugë.


Pasi i janë afruar policët ka kërkuar të mbrohet duke nxjerrë dokumentin e identifikimit shoqëruar edhe me togfjalëshin: "Jam gazetar, mos më godisni", por përveç goditjeve me shkopinj gome dhe qytë automatiku ka marrë këtë përgjigje nga policët: "Me plasi k... që je gazetar". Me situatë edhe më të rendë është përballur edhe gazetari i televizionit "ABC News", Fatos Mahmutaj, duke raportuar drejtpërdrejt nga sheshi duke u plagosur me plumb në dorë.


Burime nga prokuroria shprehen se pasi ka shpuar tejpërtej dorën e gazetarit, plumbi ka ndaluar në kokën e njërit prej protestuesve duke i shkaktuar atij vdekjen. Me shkopinj gome dhe shkelma është rrahur edhe një kolegu i tij, pjesë e stafit teknik të televizionit "ABC News".
Plagë ka marrë edhe gazetari i televizionit "Ora News" gjatë raportimit të drejtpërdrejtë që po bënte nga sheshi.

Pasi kanë shpërndarë turmën, policët janë hedhur në "sulm" ndaj qytetarëve dhe gazetarëve duke goditur në nofull gazetarin Elton Dono, gjë e cila i ka kushtuar dy të qepura. Nga ana tjetër, fotografi Feliks Bilani, është goditur në kokë me gurë nga turma. Ai gjithashtu raporton goditjen me gurë edhe të reporterit dhe kameramanit të Agjencisë Reuters.

No comments:

Post a Comment