Total Pageviews

Saturday, May 7, 2011

Kryeqytetarja!


Nga Mero Baze




Flora Hanelli është një pedagoge e sertë matematike, që bashkë me burrin e saj mbahen mend gjatë nga studentët që mbarojnë inxhinierinë në Tiranë. Unë vetë jam një student i tyre dhe ende më del në gjumë provimi me Hanellin. Memoria e fortë për ta, ka të bëjë me faktin se ishin të rreptë, të drejtë dhe të pakompromis. Dje Flora Hanelli u bë personazh i medies shqiptare, pasi fare spontanisht, e zemëruar si qytetare dhe e fyer në inteligjencën e saj, ishte futur me dhunë në një klasë ku duhet të dëgjonte gënjeshtra, rrethuar nga badigardë dhe një trupë shëtitëse që shoqëron kandidatin Lulëzim Basha. Shpërtheu dhe zhbëri për 5 sekonda atë që Lulëzim Basha kishte tentuar ta bënte për 5 javë, fushatën e montuar elektorale dhe profilin e tij paqësor. Disa badigardë me fytyrë banditi iu afruan pedagoges së nderuar dhe e hoqën zvarrë jashtë, ndërsa studentët duartrokisnin pedagogen e tyre dhe të revoltuar zbrazën sallën. Zyra e shtypit e Lulëzim Bashës, që nuk lë kasetë dhe e-mail pa dërguar, heshti. Njeriu që i premton Tiranës transparencë, fshehu përballjen e tij të parë me një qytetare kurajoze. Menaxherët e fushatës së tij heshtën. Vrapuan pas kësaj në një sallë të Tiranës për të bërë një aktivitet tjetër që të mbulohej skandali. Mediat televizive kombëtare heshtën, duke e bërë dhe më të fortë dhimbjen për mungesën e moralit të tyre në këtë fushatë.
Flora Hanelli u kthye e tronditur në zyrën e saj, shoqëruar nga e bija dhe disa studentë që ja hoqën nga duart badigardëve të dhunshëm të Lulëzim Bashës. Njeriu prej plasteline u deformua për 5 sekonda përballë një njeriu të vërtetë. Maska e dyllit ra nga fytyra e tij sapo një zonjë i kujtoi se ka lënë katër palë fëmijë jetimë. Tirana humbi dje një takim të qetë elektoral, por fitoi një qytetare të rëndësishme të saj, ndoshta qytetaren më të rëndësishme të kësaj fushate, Flora Hanellin.
Ky gjest na bëri të reflektojmë gjatë mbi gjestin e gazetës Tema ditën e diel, që botoi në faqe të parë një kopertinë denoncuese mbi përgjegjësinë e Lulëzim Bashës për vrasjet e 21 Janarit. Kemi pasur reagime të përziera rreth saj, reagime të cilat ishin në shumicë absolute mbështetëse, por me debate rreth thellësisë ku duhet të shkohet me këtë akuzë.
Dje Flora Hanelli na bëri të skuqemi të gjithë, duke na treguar se sa të padrejtë jemi me dy vajzat e mitura të Aleks Nikajt, sa të padrejtë jemi me lotët e Anës dhe vëllezërve të saj që u mungon babi i vrarë para derës së qeverisë me duar në xhepa, sa të padrejtë jemi treguar në këtë fushatë me fëmijët e Hekuran Dedes që po qajnë në vetmi dhe harrim babain e tyre, dhe djalin e mbetur të Faik Myrtaj, i cili duhet të përballojë jo vetëm ikjen e babait, por dhe dëshpërimin vrastar të vëllait që nuk e duroi dot atë dhembje. Flora Hanelli ndryshe nga persiatja jonë meskine mbi qejfmbetjen e Lulëzim Bashës, e tha qartë dhe shkurt duke treguar me gisht vrasësin që la “katër palë jetimë rrugëve”.
Flora Hanelli foli për të gjithë ne që heshtëm në meskinitetin tonë, për kolegët e  mi që në këtë fushatë numërojnë lekët në vend të raporteve, për pronarët e medieve që numërojnë spotet e reklamave në vend të viktimave, për njerëzit e trembur të administratës që numërojnë lekët e rrogës, para se të numërojnë rreshtat që formojnë në salla mbledhjesh e sheshe mitingjesh të detyruar. Flora Hanelli mbrojti mbi të gjithë Universitetin e saj, atë institucion që ka ngritur me duart e saj dhe burrit të saj për 25 vite dhe që i ka dhënë dinjitet  së bashku me kolegët e saj. Ajo foli për të gjithë shoqërinë e trembur shqiptare, për të gjithë median e shitur, për të gjithë ata që duan të na detyrojnë të harrojmë se Lulëzim Basha po përdor këtë dekor fushate për të mbuluar gjakun e patharë, derdhur prej tij në bulevard.
Dje Flora provoi përse Lulëzim Basha donte një fushatë të montuar elektorale në ekrane. Përfytyroni sikur Basha të kishte bërë një fushatë të lirë elektorale, të mos dilte nëpër rrugët e Tiranës me trupën e tij shëtitëse teatrale që zëvendëson popullin e vërtetë, se sa qytetarë të lirë  do të njihnim në këtë qytet. Flora provoi se Lulëzim Basha dhe Sali Berisha kanë qenë të qartë për krimin e tyre. I pari Sali Berisha u largua nga Tirana dhe po endet rrugëve të Shqipërisë pa shkelur në këtë qytet, ndërsa i dyti po sillet nëpër rrugët e këtij qyteti si fantazëm, brenda akuariumit që i ka prodhuar stafi elektoral. Një ditë kontaktoi pa dashje me një qytetare të futur pa leje të tij në sallë nën bindje të thellë se brenda atyre mureve gjithçka është me pushtetin dhe u diskretitua. Kjo tregon sa regresive dhe turpëruese është për ato media transmetimi i kasetave dhe mungesa e gazetarëve pas një aktori të rëndësishëm elektoral. Dhe mbi të gjitha tregon degradimin e shtetit ligjor prej këtij kandidati që shkel ligjin për arsimin duke dhunuar universitetet private dhe ato publike, të privatizuara nga partia e tij për të mashtruar qytetarët.
Dje Flora provoi mbi të gjitha se kurajoja nuk ka vdekur dhe se e keqja zhbëhet vetëm duke i dalë përballë. Fjalori i ashpër i saj kundër vrasjeve i krahasuar me fjalorin e Henri Çilit kundër transparencës, në të vërtetë ballafaqojnë dy botët akademike, atë reale dhe atë të rremë në Shqipëri.  Sapo videoja e saj filloi të shfaqej në faqet e internetit dhe ekrane në Tiranë, një bombë artizanale shpërtheu pranë çadrës rinore të opozitës në Bulevard duke plagosur një të ri, ndërsa në Laç u vra vëllai i një deputeti socialist. Qetësia humbi menjëherë dhe maskat e dyllit, që fshihnin skërmitjen e dhëmbëve duke e transformuar në buzëqeshje, ranë. Në këtë qytet, njeriu që do të bëhet qytetar i parë i tij, është në akuzë për vrasje politike. Milionat e pushtetit janë angazhuar ta pastrojnë gjakun nga duart e tij, por mjafton një njeri i lirë për ta bërë të duket e rreme liria e ofruar nga një pushtet i dhunshëm. Faleminderit Flora Hanelli. Me gjestin tuaj, ju i keni vënë notë kaluese një shoqërie, e cila po mbeste në klasë në provimin e demokracisë.

No comments:

Post a Comment